

KOSOVË- Imri Demelezin është emëruar ministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, bëri të ditur Qeveria e Kosovës.
Ai në këtë detyrë zëvendëson Faton Pecin, i cili do të marrë detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Detyrën ia ka dorëzuar vetë Peci, të cilin Demelezi e ka falënderuar për “punën, angazhimin dhe rezultatet e arritura”.
Demelezi nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, deri më tani mbante postin e zëvendësministrit të Bujqësisë.
“Marrja e pozitës si ushtrues detyre i ministrit është një përgjegjësi e madhe, të cilin do ta kryej me përkushtim edhe më të madh. Njohja e punës nga brenda dhe përgatitja profesionale gjatë gjithë jetës vetëm në sektorin e bujqësisë nga pozita të ndryshme, më jep sigurinë se së bashku me ekipin, stafin ministrorë dhe aktorët tjerë brenda dhe jashtë vendit do të arrijmë rezultate konkrete që prekin jetën e secilit prej jush”, shkroi ai në Facebook.
Peci fitoi garën për Mitrovicën e Jugut në rundin e balotazhit të mbajtur më 9 nëntor, kur u përball me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.
Që pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka pësuar disa ndryshime, pasi Albulena Haxhiu u largua nga drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë pasi u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, sikurse edhe Emilja Rexhepi, që u largua nga posti i zëvendëskryeministres, pasi u zgjodh nënkryetare Kuvendi. Liburn Aliu, ndërkaq, dha dorëheqje nga posti i ministrit të Infrastrukturës, dhe në vend të tij u emërua Hysen Durmishi. Kurti po ashtu ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari.
Pas muajsh bllokadë politike, në fund të gushtit deputetët konstituuan përbërjen e re parlamentare, duke i hapur rrugë formimit të ekzekutivit. Megjithatë, dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit dështuan që të siguronin 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.
Pas dështimit për formimin e Qeverisë së Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor./REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






