Transmetuar më 11-12-2025, 20:43

11 Dhjetor, 2025

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nderoi themeluesit dhe kontribuuesit e PD ndër vite gjatë ceremonisë së 35-vjetorin e themelimit të PD-së. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se kujtimet, veprat dhe trashëgimia e tyre mbeten krenaria e demokratëve.

Teksa përmendi disa prej figurave kryesore të PD, edhe të atyre që sot nuk janë më por që me kontributin e tyre hodhën themelet e demokracinë në Shqipëri, Berisha u ndaj veçanërisht te figura e ish-kryetarit të parlamentit, Pjetër Arbnori, të cilin e konsideroi si Mandelën e Evropës. Lideri i opozitës nënvizoi gjithashtu se kujtimi, vepra, trashëgimia e tyre është dhe do mbetet krenaria e demokratëve në çdo kohë.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të pranishëm sonte në këtë takim, por dhe kudo që ndodheni. Të nderuar demokratë dhe demokrate të pranishëm këtu, në Shqipëri dhe jashtë vendi. Të nderuar drejtues, deputetë, qeveritarë vendorë, këshilltarë të Partisë Demokratike. Të dashur kryetarë, drejtues të forcave politike aleate të Partisë Demokratike. Të dashur drejtues të forumeve të Partisë Demokratike, forumit të gruas dhe forumit të rinisë. Përshëndetje dhe urimet më të përzemërta në 35 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, partisë më të jashtëzakonshme.

Nderimin më të madh për guximin, kontributin, lumenjtë e sakrificave të qindra e mijëra demokratëve dhe demokrateve dhe mbështetësve tanë në këto 35 vite. Nderim dhe mirënjohje të pakufijshme për veprën e pavdekshme të tribunit të lirisë, themeluesit dhe prijësit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë! Nderim të veçantë dhe të madh për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar të Partisë Demokratike, intelektualit të mirënjohur, të pavdekshmit Gramoz Pashko.

Ne përkulemi me nderim të thellë para kontributit dhe veprës së pavdekshme të themeluesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, Mandelës së Evropës, ish-kryetarit të parlamentit, Pjetër Arbnori. Qëndrestarit të pamposhtur dhe intelektualit të madh, drejtuesit kryesor të Partisë Demokratike dhe grupit të mazhorancës së saj në parlament, Ali Spahia. Personalitetit të shquar të Partisë Demokratike, burrit të shtetit që i dha aq shumë nder shtetit dhe presidencës, Bujar Nishani.

Ministrit brilant të Partisë Demokratike dhe drejtuesit të rinisë së saj, Sokol Olldashi. Udhëheqësit të talentuar të rinisë, Partisë Demokratike, Genti Bogdani. Dhe dhjetëra e dhjetëra drejtuesve, deputetëve, qeveritarëve qëndrorë dhe vendorë të kësaj partie që nuk janë më. Kujtimi, vepra, trashëgimia e tyre është dhe do mbetet krenaria e jona dhe e demokratëve në çdo kohë,” tha Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit