Transmetuar më 11-12-2025, 18:25

Mediat greke raportojnë se ditën e sotme policia shqiptare ka ushtruar kontroll në banesën e prindërve të 45-vjeçarit Dhimitër Meci, i arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi të dyshuar vrasësish me pagesë.

Sipas raportimeve, gjatë kontrollit në banesë është gjetur vetëm nëna e tij, 84 vjeçe, ndërsa dhoma që dyshohet se përdorej nga Dhimitër Meci rezultonte e mbyllur me çelës.

Gjatë veprimeve të kontrollit, efektivët kanë zbuluar një arsenal armësh, konkretisht dy armë automatike kallashnikov, një pistoletë automatike të mbështjellë me plastmas, dhjetëra fishekë – disa prej të cilëve të fshehur brenda qeseve me oriz – si dhe pesë krehëra kallashnikovi.

Sipas mediave greke, ekziston dyshimi se këto armë ishin destinuar për t’u kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë.

Po ashtu, janë publikuar edhe fotografi të armëve të sekuestruara gjatë operacionit, ku dallohen mbishkrime në gjuhën shqipe si “PUSHK DHELPRA RUSE” dhe “TT RUSE”. Ende nuk është e qartë nëse këto armë janë sekuestruar në territorin shqiptar apo grek, pasi autoritetet shqiptare nuk kanë bërë asnjë deklaratë zyrtare për mediat lidhur me këtë operacion.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se policia greke dyshon se grupi i përbërë nga katër shtetas shqiptarë dhe katër shtetas grekë ishte duke u përgatitur për kryerjen e një atentati ndaj një mafiozi grek në zonën e Pireut. Objektivi i dyshuar ishte një ish-bashkëpunëtor i Mihali Zampounit, i cili ishte ekzekutuar më herët në atentat. Sipas hetimeve, atentati mund të ishte planifikuar të ndodhte rreth periudhës së Krishtlindjeve.

Burimet shtojnë se anëtarët e grupit kishin ndjekur lëvizjet e objektivit dhe po planifikonin sulmin, me gjasë duke përdorur një nga armët që u gjetën në një apartament në zonën Marina Zeas, në Greqi.

Gjithashtu, policia ka zbuluar se i njëjti grup dyshohet se është përgjegjës jo vetëm për tentativën e vrasjes së Jani Lalës dhe për djegien e një karburanti, por edhe për vjedhjen e një automjeti më 22 korrik 2025, të cilit i ishin vendosur targa false për të shmangur identifikimin.

Kujtohet se gjatë operacionit policor të zhvilluar dy ditë më parë, u arrestuan Dhimitër alias Dhimo Meci, 45 vjeç nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, Fatjon Prendi, 39 vjeç nga Lezha, Andrea Brokeri, 32 vjeç nga Himara, ndërsa u shpall në kërkim Vasil Theohari, 31 vjeç nga Krongji i Finiqit. Në kuadër të të njëjtit hetim, si pjesë e grupit janë identifikuar edhe katër shtetas grekë, disa prej të cilëve janë arrestuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit