

Një situatë shqetësuese po raportohet në Parkun Kombëtar të Finiqit, në jug të vendit, ku mjete të rënda ndërtimi janë parë duke kryer gërmime brenda zonës së mbrojtur arkeologjike. Turistë të huaj që kanë vizituar parkun mesditën e djeshme kanë publikuar pamje dhe reagime të ashpra lidhur me aktivitetin, i cili dyshohet se lidhet me kërkime të paligjshme për sende me vlerë.
Në videot e shpërndara prej tyre, fadroma shihen duke punuar brenda perimetrit të parkut, ndërsa sipërfaqe të konsiderueshme rezultojnë të gërmuara me mjete të rënda. Sipas turistëve, gërmimet po kryhen pa ndërprerje, pavarësisht se ata po regjistronin pamjet nga afër.
“Kërkimi i arit në mënyrën shqiptare. Ju pëlqen të shkatërroni historinë 3000-vjeçare të Finiqit”, shkruajnë vizitorët e huaj, duke ngritur alarmin për dëmin e potencial që i shkaktohet qytetit antik.
Parku Arkeologjik i Finiqit ka një rëndësi të veçantë historike. Qyteti i lashtë i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve dhe, në shekullin III para erës sonë, kryeqyteti i shtetit të Epirit. Historiani Polibi e përshkruan Foinikën si qytetin më të fortifikuar të Epirit, i ndërtuar mbi një kodër me formë të ngjashme me një anije të përmbysur.
Parku ndodhet rreth 283 metra mbi nivelin e detit, 9 kilometra në lindje të Sarandës, ndërsa fshati i sotëm Finiq gjendet në rrëzë të të njëjtës kodër.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi rastin dhe rrethanat e futjes së mjeteve të rënda në zonën e mbrojtur.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






