

Klodian Braho është zgjedhur sot drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përmes një procesi votimi të hapur dhe nominal.
Gjatë votimit, Braho mori 7 vota, duke siguruar shumicën e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit. Ndërkohë, kandidatët e tjerë për këtë pozicion morën këto rezultate:
– Adnan Xholi: 3 vota
– Elvin Gokaj: 1 votë
– Doloreza Musabelliu: 0 vota
Të katër kandidatët prezantuan platformat e tyre para anëtarëve të KLP-së, duke paraqitur vizionet e tyre për funksionimin e Prokurorisë së Posaçme. Në seancë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik, përfshirë të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadorin e BE-së Silvio Gonzato dhe ambasadorin britanik Nicholas Abbott.
Pas shpalljes së rezultatit, u konfirmua se Klodian Braho do të marrë drejtimin e SPAK për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje, siç parashikon ligji. Ai bëhet kështu drejtuesi i tretë i institucionit që nga krijimi i tij, pas Arben Krajës dhe Altin Dumanit.
Në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të platformës përpara votimit, Braho nënvizoi rëndësinë e konsolidimit të SPAK, forcimit të bashkëpunimit me BKH-në dhe garantimit të pavarësisë së prokurorëve, duke theksuar se “askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”.
Me këtë vendim, KLP i besoi Klodian Brahos drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, duke shënuar nisjen e një faze të re 3-vjeçare në krye të SPAK.
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës. Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendës drejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re. Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Klodian Braho është pjesë e SPAK që prej krijimit të tij dhe aktualisht drejton Seksionin Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe çështjeve me ndjeshmëri të madhe publike.
Braho është prokurori që udhëhoqi hetimin e inceneratorit të Elbasanit, një dosje voluminoze dhe komplekse, nga e cila lëshoi urdhër-arreste për persona të njohur si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj u trajtua në një procedim të veçuar.
Ai ka çuar përpara edhe dosjen “5D”, duke dërguar për gjykim disa ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër hetim i rëndësishëm i tij është ai i “Toyota Auris”, ku u zbulua një skemë e gjerë kriminale që përfshinte edhe individë të sistemit të drejtësisë. Dosja është e fragmentuar në disa degë, të cilat vijojnë të hetohen ende.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






