Transmetuar më 11-12-2025, 11:33

Prokurori i njohur, Adnan Xholi, gjatë prezantimit të kandidaturës së tij sot në KLP për të marrë kreun e SPAK, ka folur dhe për disa përvoja sensitive në punën mëse 26 vjeçare si prokuror.

Dy çështje kishin të bënin me rrëmbimin e biznesmenëve: "Dy biznesmenë u rrëmbyen, një në fshatin Peshkopi dhe një në qytetin e Gjirokastrës.

I rrëmbyen për një periudhë 9-18 ditë, ushtruan dhunë psikologjike dhe fizike. Duke i detyruar të hapnin varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuara, ishin 100 mln dhrami.

Hetimi ishte pezulluar. E rihapa dhe u identifikuan, arrestuan dhe dënuan autorët.

Rasti tjetër ka të bëjë me një pengmarrje, ku pengu u ekzekutua, por autorët vijuan të kërkonin para. U identifikua autori dhe u kërkua dënim përjetë për të”.

Xholi tregoi se ai u emërua në vitin 1999 si prokuror në Gjirokastër ku u angazhua në hetimin e çështjeve sensitive që kishin ndodhur në vitin 1997.

"Kam prezantuar rastin e vrasjes të quajtura si ‘vrasja e Glinës’ në vitin 1997, një grup kriminal i armatosur me shtrirje në aksin Vorë-Tepelenë kishin krijuar mekanizëm për të grabitur shtetasit shqiptarë që punonin dhe jetonin në Greqi, dhe u zinin kurth në pikën kufitare.

Njëri nga anëtarët hiqej si taksist dhe bashkëpunëtorët e prisnin ne rrugë. Katër shtetas shqiptarë u vranë nga ky grup. Janë identifikuar autorët dhe janë dënuar të gjithë, për ekzekutorin kam kërkuar ’dënim të përjetshme’.

Ai kujtoi edhe disa prej ngjarjeve më të rënda që ka hetuar kur ishte pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. “Ngjarjet e 97, të njohura si “masakra e Cërrikut”, ku janë vrarë 6 efektivë të Gardës dhe “masakra e Qafë gjashtës”, ku u vra një efektiv policie dhe u tentua të vritet një drejtues policie.

Ndodheshim në një presion të jashtëzakonshëm të familjarëve të të pandehurve, që ndjeheshin të paprekshëm në qytetet e tyre dhe të familjarëve të viktimave, që kërkonin drejtësi”.

Adnan Xholi prezanton platformën për drejtimin e SPAK: Përvojë e gjatë në sistemin e drejtësisë dhe hetime ndërkombëtare

Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi, ka paraqitur sot platformën e tij përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku shpalosi vizionin dhe përvojën e tij shumëvjeçare në sistemin e drejtësisë. Gjatë prezantimit, ai theksoi se karriera e tij përfshin pozicione të rëndësishme drejtuese dhe angazhime në hetime me shtrirje kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sipas Xholit, prokuroria është një institucion i decentralizuar ku drejtuesi ka detyrimin ligjor dhe moral të sigurojë funksionim efikas, të orientojë burimet njerëzore dhe të garantojë trajtimin e çështjeve me objektivitet. “Prokuroria është organ i decentralizuar, prokurorët janë të pavarur; drejtuesi është menaxher, i cili si i barabartë mes të barabartëve ka detyrimin të sigurojë kushtet e punës, të udhëheqë ekipet dhe të adresojë paligjshmërinë”, u shpreh ai.

Xholi tha se për shkak të roleve drejtuese që ka mbajtur ndër vite, ka qenë pjesë aktive e vendimmarrjes në strukturat më të larta të sistemit të drejtësisë. Ai përmendi aftësinë për hartimin e akteve administrative, njohjen me problematikat në terren dhe përvojën në udhëheqjen e proceseve të rëndësishme hetimore.

“Kam udhëhequr hetime të rëndësishme dhe jam drejtues i pesë skuadrave të përbashkëta hetimore”, tha ai, duke shtuar se ka pasur hetime paralele me agjenci partnere në shumë vende të botës. Sipas tij, këto hetime kanë përfshirë çështje që lidhen me substanca të paligjshme, armë, pastrim fondesh dhe trafikim njerëzor.

Ai tha se bashkëpunimi me homologë të huaj ka qenë kyç për identifikimin dhe neutralizimin e grupeve të rrezikshme me shtrirje të gjerë, si dhe për administrimin e dosjeve voluminoze që kanë çuar në ndalime, dënime dhe konfiskim asetesh. Xholi nënvizoi, gjithashtu, angazhimin e tij në procesin e reformës në drejtësi dhe kontributin në përmirësimin e kuadrit ligjor.

Me këtë prezantim, Adnan Xholi synon të bindë KLP se përvoja e tij e thelluar dhe vizioni menaxherial e bëjnë të përshtatshëm për të drejtuar SPAK-un në fazën e ardhshme të funksionimit të tij. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit