

Altin Dumani përfundon pas një jave mandatin 3-vjeçar në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), një periudhë gjatë së cilës nën hetim përfunduan figura të rëndësishme të politikës dhe disa prej grupeve më të rrezikshme kriminale në vend. Sot, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendos se kush do të marrë drejtimin e strukturës më të rëndësishme antikorrupsion në Shqipëri.
Në garë janë katër prokurorë aktualë të SPAK, të gjithë me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe eksperiencë në çështje me ndjeshmëri të lartë.
1. Adnan Xholi
Një nga prokurorët më me përvojë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht shërben në SPAK dhe drejton Seksionin e Krimit të Organizuar, një rol kyç në hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.
Kjo është hera e dytë që Xholi kandidon për kreun e SPAK — në vitin 2022 ai mori vetëm votën e një anëtari të KLP-së.
Dosjet kryesore që ka hetuar:
Çështja e Fredi Belerit (korrupsion zgjedhor)
Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja (2019), që çoi në zbërthimin e komunikimeve SkyECC dhe në krijimin e dy dosjeve të tjera të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike
Hetime të rëndësishme për përplasjet mes grupeve kriminale në Durrës
—
2. Klodian Braho
I emëruar prokuror në vitin 2007, pjesë e SPAK që prej krijimit të tij. Aktualisht drejton Seksionin kundër Korrupsionit. Ka një rrugëtim të gjatë në hetimin e aferave korruptive dhe çështjeve të funksionarëve publikë.
Dosjet kryesore të Brahos:
Inceneratori i Elbasanit, me urdhër-arreste për Mirel Mërtirin, Stela Gugalljen, Klodian Zoton, si dhe ndarje të hetimit për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj
Dosja 5D — ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës
Dosja “Toyota Auris”, e ndarë në disa fraksione, që vazhdon të hetohet
Çështja ndaj Fatmir Mediut për “shpërdorim detyre” në lidhje me tragjedinë e Gërdecit
—
3. Elvin Gokaj
Me karrierë të nisur që në dhjetor të vitit 2000, Gokaj është ndër prokurorët me eksperiencën më të gjatë në garë. Ka hetuar një sërë çështjesh komplekse me ndikim të lartë shoqëror.
Dosjet kryesore të Gokajt:
Dosja “Buka”, ku u mor i pandehur ish-ministri Arben Ahmetaj
Hetime për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj, për tenderin e mirëmbajtjes së aksit Shpal–Ura e Repsit (58.7 km, vlera 2.29 milionë euro)
Për këtë procedurë janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë publikë
—
4. Doloreza Musabelliu
E emëruar në tetor të vitit 2004, prokurore e SPAK me rol të rëndësishëm në dosjet e krimit të organizuar dhe ngjarjeve të rënda.
Dosjet kryesore të Musabelliut:
“Plumbi i Artë”, ku tre bashkëpunëtorë të drejtësisë zbuluan dhjetëra ngjarje të rënda të viteve të mëparshme
Dosja e masakrës në Lushnjë (2017), ku u kërkua burgim i përjetshëm për Leart Haxhiun, Anterio Kaloshin dhe Orgest Bilbilin
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






