Transmetuar më 11-12-2025, 08:55

Operacion i madh në Greqi: Tre shqiptarë ndalohen, zbardhen të dhënat për grupin e dyshuar dhe sendet e sekuestruara

Një grup shqiptaro-grek, të dyshuar si përgjegjës për tentativën e vrasjes së mafiozit grek Jani Lala është identifikuar dhe shtënë në duart e policisë greke.

Tre shqiptarë janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Së bashku me ta janë arrestuar edhe tre shtetas grekë, mes tyre edhe një grua. Për të vrarë pasaniku grek ishin ofruar 300 mijë euro.

Në pranga kanë rënë:

Dhimitër Meci, 45 vjeç, nga Labova e Poshtme, Gjirokastër

Andrea Brokeri, 32 vjeç, nga Himara

Fatjon Prendi, 39 vjeç, nga Lezha

Ndërsa në kërkim është:

Vasil Theohari, 31 vjeç, nga fshati Krongj i Finiqit.

Ata akuzohen për ngjarjen e 16 majit 2025, kur ndaj automjetit të blinduar të 41-vjeçarit grek Jani Lala u qëllua rreth 50 herë me armë zjarri, pa arritur ta vrasin apo plagosin.

Personi që dyshohet se ka shtënë është Dhimitër Meci, i njohur për përfshirje në dosje të vrasjeve me pagesë në Greqi.

Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën pesë kallashnikovë, pesë pistoleta, 17 krehëra, 785 fishekë, dy jelekë antiplumb dhe 21 kapsolla. Në operacion u sekuestruan gjithashtu 31.870 euro cash, 460 gramë kokainë dhe 6 gramë marijuanë.

Policia sekuestroi edhe 18 celularë, tre automjete, një automjet të vjedhur, katër motorra dhe tre skafandra. Përveç tyre, u gjetën dy shkopinj të palosshëm, një taser, dy doreza hekuri, dy peshore, një pajisje GPS, një grirës, një tablet dhe dy USB.

U sekuestruan gjithashtu sende të tjera të forta, pajisje elektronike, dokumente bankare dhe shënime që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e grupit. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit