

Për një “atmosferë kërcënuese” dhe një përvojë të ngjashme me “ferrin” flet në librin e tij të ri, të publikuar të mërkurën, ish-presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, duke përshkruar ditët e tij pas vendimit të gjykatës, kur u mbajt për 20 ditë në institucionin e vuajtjes së dënimeve La Santé në Paris.
Muajin e kaluar, Sarkozi u dënua për financim të paligjshëm të fushatës së tij të rizgjedhjes në vitin 2012, një çështje që dëmtoi rëndë reputacionin e tij politik.
Gjykata e dënoi në shtator me pesë vite dënim, vendim ndaj të cilit ai ka bërë apel. Ai u lirua me kusht pas 20 ditësh qëndrimi në qeli.
Në librin “Ditari i një të Burgosuri” (“Diary of a Prisoner”), 70-vjeçari shkruan se qasja e tij e fortë ndaj shkeljeve të ligjit ka marrë një dimension të ri, ndërsa përshkruan kthesën e papritur që mori jeta e tij pasi u shpall fajtor për përfshirje në mekanizmat e paligjshëm të financimit të fushatës së vitit 2007 me fonde nga Libia.
Libri ofron një pamje të rrallë të institucioni La Santé, ku Sarkozi u mbajt i izoluar dhe plotësisht i ndarë nga të tjerët për arsye sigurie. Vetmia e tij plotësohej vetëm nga vizitat e rregullta të bashkëshortes, Carla Bruni-Sarkozy, dhe avokatëve të tij.
“Si një hotel i lirë”
Sarkozi shkruan se qelia e tij i ngjante një “hoteli të lirë, përveç derës së blinduar dhe hekurave”, me një dyshek të fortë, jastëk plastik dhe një dush që rridhte vetëm me një fije të hollë uji. Ai përshkroi edhe “zhurmën shurdhuese” të institucionit, shumë prej së cilës ndodhte gjatë natës.
Gjatë ditës së parë, teksa hapi dritaren, dëgjoi një të burgosur që “godiste pa pushim hekurat e qelisë me një objekt metalik”.
Sarkozi thotë se refuzoi vaktet që servireshin në kuti plastike, bashkë me një bagetë “të ngjitur dhe të lagur”, pasi aroma e tyre i shkaktonte të përziera. Në vend të tyre, ai konsumonte produkte qumështi dhe drithëra. I lejohej një orë në ditë në një dhomë të vogël palestër, ku përdorte kryesisht një tapet vrapimi të thjeshtë.
Ai thotë se u informua edhe për episode të ndryshme dhune që kishin ndodhur gjatë qëndrimit të tij, të cilat i quajti “makth”.
“Dhuna më çnjerëzore ishte përditshmëria e atij vendi”, shkroi ai, duke ngritur pyetje për aftësinë e sistemit për të ri-integruar personat pas përfundimit të dënimit.
I njohur për fjalorin e tij të rreptë ndaj shkelësve të ligjit, Sarkozi thotë se i premtoi vetes se “pas lirimit, komentet e mia do të jenë më të hollësishme dhe më të kujdesshme se ato që kam dhënë në të kaluarën”.
Referencat politike
Në librin e tij, Sarkozi ofron gjithashtu këshilla strategjike politike për partinë e tij konservatore, Republikanët, dhe zbulon se ka biseduar me telefon nga qelia me Marinë Le Pen, dikur kundërshtaren e tij më të ashpër.
Ai shkruan se partia e Le Pen, Tubimi Kombëtar, “nuk përbën rrezik për demokracinë”.
“Ne nuk ndajmë të njëjtat ide ekonomike, nuk ndajmë të njëjtën histori… dhe vërej se ende mund të ketë disa figura problematike në radhët e tyre. Por ata përfaqësojnë shumë francezë, respektojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe marrin pjesë në funksionimin e demokracisë sonë”, shprehet ai.
Sipas tij, rindërtimi i partisë së Republikanëve “mund të arrihet vetëm me frymën më të gjerë të unitetit”.
Partia është larguar vitet e fundit nga doktrina tradicionale e së djathtës franceze, sipas së cilës çdo strategji zgjedhore duhet të synojë frenimin e ekstremeve, edhe nëse kjo nënkupton humbje zonash zgjedhore ndaj kundërshtarëve të tjerë.
Megjithatë, analisti politik Roland Cayrol tha se komentet e Sarkozit ranë si “rrufe” mbi këtë parim dhjetëra-vjeçar të konservatorëve francezë, që argumenton se Tubimi Kombëtar nuk “ndan të njëjtat vlera” dhe se “asnjë aleancë nuk është e mundur” me të djathtën radikale.
Sarkozy është tërhequr prej vitesh nga politika aktive, por mbetet shumë me ndikim, veçanërisht në rrethet konservatore.
Pas komenteve të tij, drejtuesit kryesorë të Republikanëve nuk kërkuan një marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Le Pen, por theksuan se synojnë të tërheqin votues të kësaj zone drejt kandidatëve konservatorë.
Marrëdhëniet e tensionuara me Macron
Sarkozi foli edhe për miqësinë e vjetër me presidentin qendrist Emmanuel Macron. Të dy u takuan në Pallatin Élysée pak ditë para se Sarkozi të shkonte në qeli.
Sipas tij, Macron shprehu shqetësim për sigurinë e tij në La Santé dhe i ofroi transferim në një institucion tjetër, propozim që Sarkozi e refuzoi. Në vend të kësaj, dy policë u vendosën në qelinë ngjitur për ta mbrojtur 24 orë në ditë.
Sarkozi thotë se humbi besimin tek Macron pasi ky nuk ndërhyri për të ndalur heqjen e titullit “Legjioni i Nderit”, nderimi më i lartë francez, në qershor. /noa.al Me informacion nga Associated Press
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






