Transmetuar më 11-12-2025, 07:56

TIRANË, 11 dhjetor 2025 Pabarazia ekonomike ndërmjet Tiranës dhe pjesës tjetër të vendit është thelluar ndjeshëm, duke krijuar një hendek të ri rajonal që po rritet vit pas viti. Të dhënat më të fundit të INSTAT mbi ekonominë e rajoneve për vitin 2023 tregojnë se pesë qarqe të vendit kanë PBB për frymë më pak se gjysmën e vlerës së kryeqytetit.

Kukësi rezulton qarku më i varfër i Shqipërisë, me vetëm 40.2% të nivelit të Tiranës, ndërsa pas tij renditen Dibra dhe Berati, me 43–44%. Edhe Elbasani dhe Korça qëndrojnë nën kufirin 50%, duke dëshmuar se një pjesë e konsiderueshme e territorit vijon të mbetet larg zhvillimit ekonomik të kryeqytetit.

Lezha dhe Shkodra lëvizin në intervalin 50.7%–56.4% të PBB-së për frymë të Tiranës, ndërkohë që Gjirokastra ngjitet në 62.5%, duke u pozicionuar më afër mesatares kombëtare.

Qarqet më të zhvilluara jashtë Tiranës për vitin 2023 mbeten Vlora, Fieri dhe Durrësi, me të ardhura që variojnë nga 71% në mbi 79% të kryeqytetit, falë sektorëve të fuqishëm si turizmi, industria dhe transporti.

Sipas ndarjes rajonale të INSTAT, Veriu (Shkodër, Durrës, Lezhë, Kukës, Dibër) regjistroi PBB për frymë prej 819 mijë lekësh, ose 16.8% nën mesataren e vendit. Qendra, ku përfshihen Tirana dhe Elbasani, qëndroi 21.8% mbi mesatare me 1.9 milionë lekë për frymë. Jugu regjistroi 845 mijë lekë, rreth 14.1% nën mesataren e vendit.

Tirana mbetet motori ekonomik i Shqipërisë, me PBB për frymë 1.3 milionë lekë në vitin 2023, ose 38.9% mbi mesataren kombëtare. Pas saj renditen Durrësi me 1.086 milionë lekë (+10.3%) dhe Fieri me 1.042 milionë lekë (+5.8%). Në skajin tjetër, Kukësi, Dibra dhe Berati mbeten qarqet më të dobëta ekonomikisht.

Ekspertët paralajmërojnë se hendeku mund të zgjerohet më tej në vitet në vijim, pasi ekonomia e Tiranës po rritet me ritme shumë më të shpejta se rajonet e tjera.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit