Transmetuar më 11-12-2025, 07:47

TIRANË, 11 dhjetor 2025 Paratë që emigrantët shqiptarë dërgojnë drejt familjeve në atdhe kanë arritur nivele rekord, duke vijuar prirjen e fortë rritëse të viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, remitancat në periudhën janar-shtator 2025 arritën në 817 milionë euro, një rritje prej 5.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja u përshpejtua veçanërisht gjatë tremujorit të tretë, që tradicionalisht shënon flukse më të larta për shkak të ardhjes së emigrantëve në Shqipëri gjatë sezonit veror. Vetëm në korrik-shtator, prurjet arritën në 285 milionë euro, me një rritje prej 8.8% nga një vit më parë.

Tendenca rritëse e remitancave ka qenë e qëndrueshme që prej vitit 2013, duke reflektuar ciklin e ri emigrator që nisi sidomos pas vitit 2015. Pas ngadalësimit të përkohshëm nga pandemia në vitin 2020, prurjet u ringritën me ritme të shpejta, duke kapur për herë të parë pragun e 800 milionë eurove në 9 muajt e parë të vitit 2024. Me ecurinë aktuale, ekspertët vlerësojnë se viti 2025 mund të mbyllet me mbi 1 miliard euro remitanca.

Eurostat vlerëson se vetëm gjatë viteve 2022-2023 rreth 154 mijë shtetas shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në vendet e BE-së, ndërsa që nga viti 2008 numri arrin në rreth 920 mijë. Kjo bazë e gjerë e emigrantëve të rinj ka krijuar një potencial të madh për rritjen e transfertave drejt familjeve në Shqipëri.

Sipas aktorëve të tregut, kanalet tradicionale të remitancave mbeten Greqia dhe Italia, ndërsa vitet e fundit vihet re rritje e dukshme nga destinacionet e reja si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania. Remitancat raportohen nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korrente në bilancin e pagesave, duke përfshirë prurjet formale përmes bankave dhe operatorëve financiarë, si dhe vlerësimet e prurjeve informale bazuar në anketa dhe të dhëna të agreguara të tregut.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit