Transmetuar më 11-12-2025, 07:37

TIRANË- Altin Dumani është drejt ikjes si kryeprokuror i SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet sot në 09:00 për të përzgjedhur pasuesin e tij. Mbledhja për kreun e ri të SPAK do të jetë e hapur për mediat dhe të pranishëm do jenë dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT.

4 janë kandidatët që kanë aplikuar për tu përzgjedhur si drejtues të SPAK: Elvin Gogaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho. Për herë të parë një grua kandidon për drejtuese të SPAK. Të 4 kandidatët do të paraqesin para anëtarëve të KLP platformat e tyre për drejtimin e SPAK dhe më pas do të votohet për emrin që do të drejtojë SPAK.

Një ditë para mbledhjes së SPAK, SHBA vlerësoi punën e Altin Dumanit pas një takimi të zyrtarit të DASH, Zv.drejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise. SHBA vlerësoi punën e Dumanit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke theksuar se ai vendosi standardin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ndërkohë, delegacioni i BE në Tiranë dhe ambasada e Britanisë së Madhe bënë thirrje që gara të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, ndërsa mesazhi i tyre ishte për të përzgjedhur një kandidat i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”,-

Altin Dumani është zgjedhur në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi.

Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij etj.

Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.

Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit