

Tiranë- Në 100-vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut, u dhanë mbrëmjen e sotme medalje nderi për 22 personalitete të kombit shqiptar, që kanë shërbyer në fusha të ndryshme.
Fjalën hapëse e mbajti kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili theksoi se medaljet mbajnë emrin e heroit tonë kombëtar, që përcaktoi njëherë e mirë orientimin europian të Shqipërisë.
“Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës” iu dha ish-presidentit Alfred Moisiu.
“Gjithë jetën ia kam kushtuar kombit”, ish-presidenti Moisiu nderohet me Yllin e Madh të Urdhrit Suprem të Shqiponjës “Ylli i Madh” iu dha kirurgut të njohur, Besim Elezi.
“Jam i nderuar dhe vlerësuar pa masë për këtë vlerësim që më bëhet si mjek, në shërbim të popullit. Jam i gëzuar që ky Urdhër u rivitalizua nga njerëzit e mençur që drejtojnë shtetin”, u shpreh ai.
Ylli i Madh” edhe për Seit Mansakun.
“E ndjej veten të nderuar nga ky vlerësim për punën time modeste dhe që lidhet me emrin e madh të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, u shpreh gjuhëtari i njohur Mansaku.
“Oficeri i Madh” i Urdhrit Suprem të Shqiponjës për studiuesin Aurel Plasari, i cili u emocionua gjatë fjalës së tij.
“Rëndësia më e madhe e mbrëmjes së sotme është 100-vjetori, shteti shqiptar ka qenë me fat t’i themelojë urdhrat e tij nën këtë urdhër. Do ju them dhe një kuriozitet, ka qenë ëndërr e Faik Konicës, që në kohën e Turqisë, kur Konica themeloi çmimin Skënderbeu, u shpall personaliteti, por nuk u dha emri. Konica i shkronte mikut të tij, që kur të vijë koha të themelohet një shtet, shqiptarët duhet të krijojnë një urdhër me emrin e Skënderbeut, jo me emra shenjtorësh. Në këtë kuptim është emocionues ky 100-vjetor”, tha Plasari.
“Oficeri i Madh” i Urdhrit Suprem të Shqiponjës edhe për historianin e shquar, Pëllumb Xhufi.
“Jemi këtu në 100-vjetorin e themelimit të Urdhrit të Skënderbeut. Heroi ynë kombëtar, Skënderbeu ka qenë gjithmonë në zemrën time. Unë u jam shumë mirënjohës pedagogëve të mi. I detyrohem shumë udhëheqësit tim të përjetshëm shkencor Aleks Budës, si dhe disa profesorëve të nderuar, duke nisur nga profesor Kristo Frashëri”, tha historiani.
U nderua, Francesco Altimari, studiues arbëresh në fushën e albanologjisë.
Po ashtu, studiuesi i letërsisë arbëreshe, Matteo Mandala, me medaljen “Oficeri i Madh”.
“Këtë medalje ja kushtoj arbëreshëve. Ka mot që ju presim që të ribashkohemi bashkë në familjen tonë evropiane. Mirë se na vini!”, u shpreh ai.
Ernesto Madeo, mori medaljen “Oficeri i Madh”.
“Kemi bërë gjithçka që të jemi bashkë. Kjo vëllazëri e madhe na bashkon për gjashtë shekuj dhe ne kemi ruajtur çdo gjë nga Arbëria. Ia dolëm të çmohet kultura arbëreshe”, tha ai në fjalën e tij.
Ismet Elezi fitoi medaljen “Lisi Akademik” në moshën 106-vjeçare.
Në moshë tejet të thyer dhe në karrocë, Elezi e pati të pamundur të marrë fjalën dhe në vend të tij foli mbesa. Me zërin që i dridhej, ajo u shpreh se gjyshi i saj gjithë jetën ja ka kushtuar akademisë.
“Ju falënderojmë që e keni respektuar gjyshin tim, kontributin e tij për akademinë dhe kombin shqiptar”, tha mbesa e tij.
Abaz Hoxha, u nderua me medaljen “Ylli i Madh”.
“Faleminderit zoti president, zoti kryetar i Këshillit të madh të Ministrave, për këtë nder që nuk më bëhet mua personalisht, por kinematografisë shqiptare që i kam kushtuar gjithë jetën time, atyre që krijuan një kulturë të re në kushte të vështira. Kinematografia shqiptare ka krijuar filma që mbeten në historinë e kombit”, tha ai.
Shpresa Gjongecaj, u nderua me titullin “Komandar” të Urdhrit Suprem të Shqiponjës.
“Dekorata është vlerësim për punën time shkencore për 50 vite, kryesisht në arkeologji. Jam shumë e nderuar për këtë çmim. Puna e bërë me përulësi nuk vdes kurrë. Ia dedikoj dekoratën bashkëshortit të ndjerë, që ndërroi jetë vitin e kaluar, por jetën ia dedikoi shkencës”, u shpreh ajo.
E njëjta dekoratë u dha për Zyber Dushkun, Etleva Domin dhe Fioralba Cakonin.
“Ju falënderoj për këtë vlerësim për mua. Faleminderit zotit kryeministër për propozimin dhe zotit president për dekretimin”, u shpreh Domi.
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, u vlerësua me titullin “Kalorës”.
“Jam shumë krenar që jam shqiptar. Kam dhënë shumë në fushën e sportit, jam ende i ri dhe kam akoma shumë për të dhënë”, deklaroi Tare.
Mimoza Dhëmbi, me titullin “Kalorës”.
“E dua shumë vendin, e bëj çdo gjë me dashuri. Punojmë përditë me financat e sigurta të shtetit shqiptar. E falënderoj familjen time, që shpesh ju mungoj në familje, nga oraret e vona të punës. Unë përfaqësoj administratën publike dhe jam shumë krenare për këtë”, tha Dhëmbi.
Ajet Jata, u nderua me titullin “Kalorës”, duke theksuar se “ushtarakët rrezikojnë për të sjellë pranë shoqërisë një botë të sigurt dhe të begatë”.
Adriana Hysenaj, u nderua me titullin “Kalorës”.
“Unë kam punuar si elektriçiste në zona të largëta të Shqipërisë. I jam përgjigjur punës në çdo rrethanë. E doja vendin tim dhe punova për vendin tim. Gjithmonë dua që vendi im të bëhet”, tha Hysenaj.
Edor Kabashi, u nderua me titullin “Kalorës”.
“Kërkimet shkencore janë të mbushura me beteja. Në neurologji ka shumë sfida. Ekipi ynë sfidon sëmundje, që janë të rënda. Ne shpresojmë që arrijmë të gjejmë zgjidhje, për të mposhtur sëmundjet”, tha ai.
Me titullin “Kalorës” u nderuan mësuesi i njohur Kastriot Aliko, Gjovalin Bica dhe Liljana Luani.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






