Transmetuar më 10-12-2025, 22:26

Inside Story në një kërkesë ndaj KLGJ ka mësuar numrin e saktë të dosjeve që momentalisht janë peng i gjykatave për arsye nga më të ndryshmet.

Siç shihet qartë nga tabela, institucionet më problemet më të mëdha janë ato të Apelit. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka rreth 45 mijë e 300 dosje të pagjykuara, ndërsa Apeli i Tiranës ka rreth 24 mijë e 400 dosje. Pra, vetëm në gjykatat e apelit janë afro 70 mijë çështje. Një numër tmerrësisht i lartë që tregon qartë se sa shumë probleme kanë qytetarët shqiptarë për të marrë drejtësi në kohën e duhur.

"Është një problematik tashmë e njohur, pjesa e stokut të dosjeve në gjykatat e apelit, qoftë të përgjithshëm, qoftë administrative. Numri i dosjeve stok pretendohet të jetë numër i konsiderueshëm, 40-50 mijë dosje, të papërballueshme nga trupa që funksionon në apel", u shpreh, Elis Dine, Kryetar i Gjykatës së Elbasanit

"Do të thotë se qytetarët shqiptarë nuk marrin shërbimet e drejtësisë, nuk zgjidhen çështjet civile, familjare, pronësisë, pronësi dhe penale kjo është thelbësore. U mbyllën gjykata e rrethit, që ishin krijuar që në themelimin e shtetit shqiptar. U mbyllën gjykatat e apelit ke vetëm Tiranën, qytetarët duhet të presin me vite me javë për një proces gjyqësor dhe nuk e zhvillojnë", u shpreh Besnik Muci, ish prokuror

"Në çështjet penale nëse bëjmë një krahasim në juridiksionin e përgjithshëm, ngecin në apel, pasi gjyqtarët atje marrin dosje nga e gjithë Shqipëria nga Shkodra-Tropoja e Saranda. Kjo shkakton më pas kolaps", u shpreh Redi Ramaj, avokat.

‘Shkrirja e gjykatave të Apelit, pasi kishte gjykata apelit eficente si gjykata e shkodrës, Korçës, Vlorës dhe shkrirja e këtyre gjykatave të gjitha në Tiranë’, u shpreh Redi Ramaj, avokat

Duke bërë një kalkulim të thjeshtë të të dhënave të ofruara nga KLGJ, kuptojmë se momentalisht përveç institucioneve të posaçme, pra GJKKO-s dhe Apelit të Posaçëm, që kanë shifra optimiste për dosjet që po shqyrtojmë, institucionet e tjera kanë probleme të theksuara.

Nuk mund të anashkalohet fakti që në Gjykatën e Lartë momentalisht ka rreth 17 mijë e 700 dosje që janë në pritje të vendimeve. Po ashtu shqetësuese situata dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës me rreth 19 mijë dosje që presin vendimmarrje.

‘Referuar informacionit nga KLGJ, momentalisht në Shqipëri janë 141 228 dosje të cilat presin të shqyrtohen nga gjykatat shqiptare në të gjitha nivelet’

Nëse për specialistët e fushës, harta e re gjyqësore dhe shkrirja e gjykatave të apelit në një të vetme në Tiranë ka sjellë pasoja negative duke rritur stokun e dosjeve, KLGJ në fakt argumenton ndryshe.

Harta e re gjyqësore është miratuar pas një studimi të thelluar e të hollësishëm të gjykatave në vend dhe është ndërtuar mbi parimin e rritjes së efikasitetit, unifikimit të praktikës gjyqësore dhe përdorimit më racional dhe optimal të burimeve njerëzore, veçanërisht pas procesit të rivlerësimit kalimtar.

Numri i çështjeve të mbartura në sistemin gjyqësor në datën 1 janar 2025 rezulton 137 mijë, ose 2,467 çështje më pak krahasuar me një vit më pare./ Inside Story

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit