Transmetuar më 10-12-2025, 20:37

Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin për 100 vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut, ndërsa janë shpërndarë medalje nderi për 22 personalitete të kombit shqiptar, që kanë shërbyer në fusha të ndryshme.

Në fjalën hapëse, kryeministri Edi Rama theksoi se medaljet mbajnë emrin e heroit tonë kombëtar, që përcaktoi njëherë e mirë orientimin europian të Shqipërisë.

Sipas Ramës, Urdhri i Skënderbeut rilind sot, me dinjitetin e rifituar.

Kreu i qeverisë nderoi me medalje familjen e Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut, personalitete që i vlerësoi për kontributin që kanë dhënë për atdheun.

“Medaljet mbajnë emrin e Skënderbeut, pasi ishte burri që zgjodhi rrugën e drejtë në një epokë shumë të vështirë, pagëzori i përkatësisë tonë evropiane. Sot emri i heroit tonë na mbledh sërish këtu, 100 vjet pas Urdhrit të Skënderbeut. Jemi këtu për të nderuar Urdhrin e Skënderbeut, për të nderuar ata njerëz, që vërtetë kanë merita për përparimin e kombit. Urdhri i Skënderbeut u themelua më 1925 dhe ky urdhër ishte masë graniti, që u hodh në themelet e Shqipërisë së asaj kohe, ku nderimi e bën meritën të përjetshme. Urdhri i Skënderbeu i mbijetoi kohërave të shumta të vështira, që nga mbretëria, tek diktatura e deri tek pluralizmi tepër problematik.

Në pluralizëm, edhe të vdekurit morën dekorata, që ishin zhveshur nga çdo kuptim. Kështu, medaljet humbën rëndësinë e tyre. Ne ndërmorëm një reformë të thellë për medaljet, për të vendosur Republikën në kontakt me simotrat e saj evropiane dhe duke u mbështetur në praktikat e Europës.

Sot, Urdhri i Skenderbeut nderohet aq sa e meriton. Sot dy medalje do të marrin Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku. Republika u shpreh mirënjohje të ndjerëve. Medalja tregon se respekti fitohet me kontribut dhe përgjegjësi ndaj kombit dhe jo mbi bazë të pasurisë. Urdhri i Skënderbeut rilind sot, me dinjitetin e rifituar”, deklaroi Rama.

Ndërsa Presidenti Bajram Begaj, tha se dita e sotme shënon një “përvjetor që prek një shekull histori”.

Ai theksoi se “për herë të parë tre udhrat kombëtare do të dorëzohen sipas sistemit të ri.”

Urdhra që sipas tij, përfaqësojnë tre shtyllat e identitetit tonë kombëtar, flamurin, virtytin dhe dijen.

“Ne kemi detyrimin që t’i gjejmë, t’i shohim, që të mos presim që meritat të vetëshpallen. Kush njeh një vepër a një kontribut ka përgjegjësinë ta sjellë në vëmendje. Ata nuk kërkojnë nderim, por e meritojnë atë, pikërisht për këtë duhet një qasje e re”, tha Begaj, duke shtuar se dhënia e medaljeve është një rit që tregon se nderimi publik është mirënjohje shpirtërore dhe vlerësimit të meritës.

Vetëm kështu, tha ai, dekoratat do të fitojnë peshën e duhur. Preku edhe temën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke thënë se Shqipëria ka njerëz që shërbejnë si frymëzim edhe për brezat e ardhshëm.

“Sot nderojnë individë që nuk kanë kërkuar duartrokitje por kanë merituar respektin e një kombi. Faleminderit për sakrificat, çdo emër që thirret sot është një histori më vete. Janë këta njerëz të zakonshëm që me punën e tyre bëhen shembull të një Shqipërie që ecën përpara, ku pritjet dhe merita janë busulla kryesore”, përfundoi Begaj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit