Transmetuar më 10-12-2025, 12:45

Vendimi i Këshillit të Çështjeve të Brendshme të Bashkimit Europian për përshpejtimin e trajtimit të procedurave të azilit për emigrantët e paligjshëm duket se do të ndryshojë situatën edhe në kampin e Gjadrit.

E përditshmja italiane “La Repubblica” shkruan se qeveria e Giorgia Melonit ka vendosur të bëjë ndryshime në mënyrë që në pranverë të vërë në funksion edhe kampin e hapur në Shqipëri.

Sipas një plani të Ministrisë së Brendshme italiane, emigrantët nuk do të sillen në Gjadër menjëherë sapo kapen në det të hapur, por do të bëjnë fillimisht një kontroll të shpejtë në qendrat italiane të ngritura për këtë çështje.

Pas miratimit të listës së vendeve të sigurta, në Shqipëri mund të transferohen edhe emigrantë nga Bangladeshi dhe Egjipti, që zënë edhe pjesën më të madhe të kërkesave.

Plani i qeverisë italiane është që brenda muajit të përpunohen kërkesat për azil dhe, në rast refuzimi, riatdhesimi do të jetë i menjëhershëm. Do të dëbohen edhe ata persona që do të apelojnë vendimin, ndryshe nga aktualisht kur ky proces e pezullonte automatikisht çdo lëvizje tjetër.

Emigrantit që i refuzohet leja e qëndrimit mund të apelojë, por kjo nuk do ta pengojë kthimin, përveçse nëse gjykata vendos pezullimin e dëbimit.

Qeveria italiane synon të miratojë aktin menjëherë në parlament, përpara hyrjes në fuqi të Paktit të ri të BE-së për azilin dhe migracionin, i planifikuar për në qershor të vitit të ardhshëm.

Qendra e Gjadrit priti emigrantët e parë në tetor të 2024-ës, por disa vendime të gjykatave italiane e kishin penguar qeverinë t’i vinte ato në funksion të plotë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit