

Tiranë, 10 dhjetor 2025 – 35-vjeçari i shoqëruar mbrëmjen e së martës nga policia, në lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, është liruar pas disa orësh marrje në pyetje.
I riu, banor i fshatit Halil në Fushë-Krujë, jeton pranë zonës ku u gjet e djegur makina tip Toyota Yaris, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e atentatit. Gjatë deklarimeve, ai ka mohuar të ketë dijeni për djegien e automjetit apo lëvizje të dyshimta pranë banesës së tij, duke thënë se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej aty. Policia nuk ka gjetur prova që e lidhin me atentatin.
Sipas burimeve, shoqërimi i tij u krye për shkak të një dënimi të mëparshëm për vjedhje me dhunë, ndërsa hetimet për vrasjen e dyfishtë vijojnë intensivisht.
Edhe pse ka kaluar një muaj nga ngjarja, autorët dhe porositësit e sulmit nuk janë identifikuar. Policia po vazhdon marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e atentatit.
Ndërkohë, janë bërë publike edhe rezultatet e ekspertizës për armët e gjetura në mjetin e djegur. Sipas informacionit paraprak, armët nuk rezultojnë të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Pas atentatit, në fshatin Zall u zbulua një banesë me arsenal armësh në pronësi të Ylli Zallës, i shpallur në kërkim, por ekspertiza ka përjashtuar pistën se armët e këtij arsenali mund të jenë përdorur në sulmin ndaj Danit dhe Shaljanit.
Si ndodhi atentati në Rinas
Gilmando Dani, i njohur si bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit, u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit pranë aeroportit “Nënë Tereza”, teksa udhëtonte së bashku me Muçi Shaljanin, agjent i AMP-së dhe mik i tij, i cili mbeti fillimisht i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.
Automjeti Benz me të cilin lëviznin u qëllua nga persona të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë. Pas ndalimit të mjetit, njëri prej autorëve ka zbritur dhe ka qëlluar edhe një herë në drejtim të Danit.
Dy viktimat kishin mbërritur nga Barcelona të njëjtën ditë. Aeroplani i tyre zbriti në Tiranë në orën 13:55, rreth 35 minuta para afatit të planifikuar, ndërsa atentati ndodhi rreth 25 minuta më pas.
Pas krimit, policia u përqendrua në zonën e Niklës dhe Fushë-Krujës, ku dyshohet se janë larguar autorët. Në ditët pasuese, u gjet një banesë e braktisur me armë të shumta, por deri më tani nuk është provuar lidhja midis këtij arsenali dhe atentatit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






