

TIRANË, 9 dhjetor 2025 Qeveria ka ndërmarrë hapin më të rëndësishëm në reformimin e skemës së koncesioneve, duke shfuqizuar përfundimisht mekanizmin e kontratave simbolike “1 euro”, të cilat prej vitesh kanë ndezur debate për mënyrën se si janë dhënë pronat dhe asetet publike. Lajmi u konfirmua nga drejtori i Agjencisë së Koncesioneve, Emiliano Gjika, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Sipas tij, projektligji i ri për koncesionet dhe partneritetin publik-privat eliminon nenin që lejonte dhënien e pronave publike me qira simbolike, duke vendosur rregulla më të forta transparence dhe kontrolli. “Në projektligjin e ri kemi hequr nga lista e koncesioneve pikën që ka qenë për kontratat simbolike me 1 euro,” deklaroi Gjika.
Ligji i ri kërkon publikimin e çmimeve të ofertave, katalogëve dhe kritereve të përzgjedhjes, si dhe detyron institucionet të kenë një studim të plotë fizibiliteti të miratuar nga Ministria e Financave përpara miratimit të çdo koncesioni. Ky proces synon analizimin e kostove, përfitimeve dhe risqeve për buxhetin e shtetit.
Përfaqësues të Ministrisë së Financave theksuan se projektligji vendos standarde të qarta për planifikimin, dhënien dhe mbikëqyrjen e koncesioneve, duke u mbështetur në parimet e transparencës, mosdiskriminimit dhe sigurisë juridike. Nënvizuar u bë edhe forcimi i kontrollit ex-ante dhe ex-post, rritja e rolit mbikëqyrës të Ministrisë së Financave, APP-së dhe ATRAKO-s, si dhe harmonizimi me standardet e Bashkimit Evropian.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Blerta Rama, deklaroi se projektligji synon të sigurojë “vlerën më të mirë për paranë” duke mobilizuar kapitalin privat në fusha me interes strategjik si infrastruktura, energjia, mjedisi, turizmi, shëndetësia dhe arsimi.
Kontratat me 1 euro janë kritikuar prej vitesh si një mekanizëm që ka lejuar dhënien e pronave të lakmuara të bregdetit dhe aseteve të tjera publike me çmime simbolike. Me reformën e re, qeveria synon të mbyllë një kapitull të debatueshëm të administrimit të pasurive publike dhe të vendosë një standard më të lartë për koncesionet e ardhshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






