Transmetuar më 09-12-2025, 19:07

Paris, Francë – Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, është përfshirë në një valë kritikash pas publikimit të një videoje që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Në pamjet e bëra virale, Macron dëgjohet duke përdorur një shprehje ofenduese ndaj aktivisteve të organizatës feministe NousToutes, të cilat po protestonin jashtë teatrit Folies Bergère në Paris.

Protestueset ishin mbledhur për të kundërshtuar rikthimin në skenë të aktorit Ari Abitan, i akuzuar në vitin 2021 për përdhunim, një çështje që u pushua pas një hetimi trevjeçar. Aktivistet protestuan brenda dhe jashtë sallës, duke mbajtur maska me portretin e Abitan dhe duke thirrur slogane kundër tij.

Në videon e publikuar, Brigitte Macron i referohet protestueseve me një shprehje vulgare, që në frëngjisht konsiderohet tepër fyese. Komenti shkaktoi reagime të menjëhershme, përfshirë edhe nga deputetja e majtë Sarah Legrain, e cila e kritikoi publikisht Zonjën e Parë.

Zëdhënësi i Macron sqaroi më vonë se komentet nuk kishin synim protestueset si individë, por metodat e tyre radikale, të cilat përfshinin ndërprerjen e shfaqjes teatrale. Megjithatë, reagimet nuk u shuan. Organizata NousToutes e ktheu fyerjen në një hashtag solidariteti në rrjetet sociale, duke e përdorur si simbol proteste.

Edhe aktorja e njohur Judith Godrèche, një figurë qendrore në denoncimin e abuzimeve seksuale në industrinë e filmit francez, iu bashkua fushatës së hashtag-ut, duke e përdorur në një postim në Instagram në shenjë mbështetjeje për aktivistet.

Një prej pjesëmarrëseve në protestë deklaroi se fjalët e Zonjës së Parë ishin “thellësisht zhgënjyese” dhe përbënin “një tjetër fyerje ndaj lëvizjes feministe”.

Polemikat pritet të vazhdojnë, ndërsa debate të reja janë hapur në Francë lidhur me kufijtë e protestës, gjuhën e përdorur nga figurat publike dhe trajtimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me dhunën ndaj grave.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit