

Vihet në funksion në Policinë e Shtetit, Qendra Operacionale e Monitorimit Viziv, për ndjekjen e procedimeve penale, investim i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Zëvendësdrejtoreshën e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Operacioneve Ndërkombëtare në Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, Vikki Pullen, vizituan qendrën e re të monitorimit, e cila tashmë është në funksion të plotë.
Proda vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve britanikë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm dhe shprehu mirënjohjen për këtë investim të rëndësishëm.
Ai veçoi se ky është një investim me rëndësi të madhe për rritjen e cilësisë së ndjekjes së procedimeve penale dhe një tregues i besimit të ndërsjellë në luftën kundër krimit të organizuar.
Ndërsa Vikki Pullen tha: "Teknologjia dhe softueri modern i instaluar në këtë qendër do të forcojnë aftësitë operative, teknike dhe shkencore të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në ndjekjen dhe finalizimin e procedimeve penale.”
Qendra e re mundëson mbështetje të vazhdueshme me informacion gjatë operacioneve të veçanta policore;
-rrritje të kapaciteteve zbuluese dhe parandaluese, si dhe sigurimin me cilësi të lartë të provave shkencore;
-zbatimin e teknikave moderne të hetimit, në përputhje me zhvillimet bashkëkohore.
Krahas donacionit në pajisje dhe teknologji, u realizua edhe trajnimi i personelit operues.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






