

Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, e cila akuzoi kreun e qeverisë se po ushtron “presion” ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen “Balluku”.
Në një postim në rrjetin X, Rama u shpreh se Shoqata e Gjyqtarëve ose “nuk e di kuptimin e fjalës presion”, ose zgjedh të mos flasë kur presionet sipas tij kryhen nga aktorë të tjerë.
Rama: Nuk jam përfshirë në luftë me gjyqtarët — kam mbështetur Reformën në Drejtësi
Kreu i qeverisë theksoi se prej një dekade ka mbështetur reformimin e sistemit, ndërsa u shpreh se shpesh ka “përtypur në heshtje” gabime të gjyqësorit, që sipas tij kanë cenuar liritë e qytetarëve dhe interesat e shtetit.
Rama shtoi se Shoqata e Gjyqtarëve “gabon rëndë” nëse pret që ai të mos shprehë publikisht mendimin e tij, madje edhe kur ai vetë është palë në një proces kushtetues. Kryeministri kundër kërkesës për rritje pagash me vendim gjykate
Në reagimin e tij, Rama kritikon sërish kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve për rritje pagash përmes Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar një lëvizje që “anashkalon qeverinë dhe parlamentin”.
Sipas tij, kërkesa e fundit synon një rritje prej 1600 eurosh mbi pagën aktuale të magjistratëve dhe këshilltarëve.
Rama: Institucionet janë të hapura për dialog
Pavarësisht kritikave, kryeministri deklaroi se qeveria dhe shumica parlamentare mbeten të gatshme për komunikim institucional me Shoqatën e Gjyqtarëve, me qëllim adresimin e sfidave të drejtësisë së re.
Ai shtoi se pavarësia e gjyqësorit duhet mbrojtur jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme, por edhe nga “papërgjegjshmëria e brendshme” që sipas tij dëmton besimin e publikut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






