Transmetuar më 09-12-2025, 07:44

Në një analizë të re që vjen nga organizata kërkimore Bruegel, zbulohet se shqiptarët në Gjermani renditen ndër komunitetet me përqindjen më të lartë të punësimit në profesione me aftësi të ulëta dhe të mesme, ndërsa zënë vendet e fundit për pozicione të specializuara dhe eksperte.

Sipas raportit, 40.84% e shqiptarëve punojnë si "helper", pra në punë të pakualifikuara ose gjysmë-kualifikuara, përfshirë logjistikën, punët fizike dhe industrinë bazë. Ky është niveli më i lartë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, duke tejkaluar ndjeshëm Bosnjën dhe Serbinë.

Një tjetër 48.94% e shqiptarëve janë të punësuar si punëtorë të kualifikuar, si mekanikë, ndërtues, instalues ose profesionistë të zanateve. Edhe pse kjo tregon një bazë të fortë teknike, Shqipëria mbetet prapa vendeve me ekonomi më të zhvilluara, ku punët e specializuara përbëjnë një peshë shumë më të madhe.

Në nivelet më të larta profesionale, diferenca është edhe më e theksuar:

– Vetëm 4.54% e shqiptarëve punojnë si “specialistë”,

– Ndërsa 5.53% konsiderohen “ekspertë”, përfshirë inxhinierë, IT-istë, profesionistë të financave apo shëndetësisë.

Në total, 89.78% e shqiptarëve në Gjermani punojnë në dy kategoritë me aftësitë më të ulëta, duke treguar një hendek të qartë mes kërkesave të tregut gjerman për vende pune bazike dhe mungesës së një grupi të gjerë profesionistësh të kualifikuar nga Shqipëria.

Ekspertët theksojnë se ky trend lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e arsimit profesional në vend, mungesën e programeve të specializimit dhe pagat e ulëta në sektorët që kërkojnë arsim të lartë, faktorë që shpesh i shtyjnë të rinjtë të zgjedhin rrugë më të shpejta punësimi.

Ndërkohë, për tregun e punës shqiptar kjo sjell pasoja afatgjata, duke rritur rrezikun e boshatisjes së profesioneve strategjike, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga emigracioni për punëtorë në sektorët bazë të ekonomisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit