Transmetuar më 09-12-2025, 07:40

Tiranë, 9 Dhjetor 2025

Greqia po përballet me një valë të paprecedentë tensioni social, ndërsa protestat e fermerëve kanë shpërthyer në dhunë në disa rajone të vendit, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin e aeroporteve, porteve dhe akseve kombëtare. Autoritetet kanë hapur një çështje penale për të paktën 20 persona, me akuza të rënda që variojnë nga tentativë vrasjeje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje, lëndime të rënda trupore dhe deri te prishja e rendit publik.

Incidentet më të rënda janë regjistruar në Hania dhe Heraklion, ku grupe fermerësh “thyen” postblloqet e policisë, përmbysën një patrullë të parkuar dhe vandalizuan pajisje të policisë së trazirave. Në përplasjet me forcat e rendit janë plagosur nëntë efektivë, ndërsa dëme të shumta janë shkaktuar në automjete të policisë dhe mjediset përreth. Identifikimi i protestuesve është bërë falë pamjeve filmike, ndërsa mes tyre rezultojnë disa persona me precedentë të rëndë penalë.

Presidenti i Shoqatës së Blegtorisë së Hanias, Yiannis Verykakis, kërkoi falje publike, duke pranuar se situata financiare e komunitetit bujqësor është në pikën më kritike pas vonesave të pagesave që ishin parashikuar për 30 nëntor. Ai pranoi se grupet e irrituara të fermerëve synonin bllokimin e aeroportit, por situata dolën jashtë kontrollit.

Ndërkohë, tensioni po përshkallëzohet në mbarë vendin. Në Patra, fermerët tentuan të pushtonin portin, ndërsa po shqyrtojnë bllokimin e urës strategjike Rio–Antirio. Në Karditsa, protestuesit mbuluan me kashtë zyrën e ministrit të Zhvillimit Rural, ndërsa në Nikia u bllokuan përkohësisht dy akse rrugore kombëtare. Masat e protestës po hapen dhe mbyllen në mënyrë të koordinuar, duke krijuar pasiguri të vazhdueshme në qarkullim.

Sot në mëngjes, Komiteti Koordinues i Fermerëve do të vendosë nëse dy aeroportet kryesore të Kretës—Heraklion dhe Hania—do të vazhdojnë të mbeten të bllokuara apo do t’u rikthehen fluturimeve. Propozimet në tryezë përfshijnë bllokadë tre-ditore, mbyllje simbolike ditore dhe bllokime të pjesshme.

Qeveria greke, pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për dialog me rrugë të hapura, po përgatit një paketë negociuese, teksa tensioni me sindikalistët bujqësorë rritet. Krahas kësaj, mijëra fermerë janë prekur nga vonesat e subvencioneve, për shkak të ndryshimeve strukturore në OPEKEPE dhe auditimeve të thelluara të të dhënave tatimore.

Në fokus të diskutimeve është edhe kostoja e lartë e prodhimit bujqësor, veçanërisht energjia elektrike për të mbajtur funksionale të korrat. Fermerët kërkojnë uljen e çmimit në 7 cent euro për kWh, ndërsa qeveria e sheh të vështirë të zbresë nën kufirin aktual prej 9.2 centësh.

Përshkallëzimi i protestave ka ngritur shqetësimin se vendi mund të përballet me ndërprerje të mëdha të transportit ajror, detar dhe rrugor në ditët në vijim, ndërsa sindikalistët paralajmërojnë një mobilizim të gjerë kombëtar në fundjavë. Gjithçka pritet të kulmojë me takimin panhelenik të Nikias, ku do të vendoset për hapat e ardhshëm—përfshirë edhe opsionin ekstrem të bllokadës së Tempit dhe Istmit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit