

Tiranë, 9 Dhjetor 2025
Depozitimet e parave cash në bankomat kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit 2025, duke dyfishuar volumet krahasuar me një vit më parë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë përdoruesit kryen rreth 663 mijë depozitime automatike, një rritje prej 151% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Gjatë 9-mujorit, numri total i depozitimeve arriti në 1.47 milionë, dyfish më shumë se një vit më herët. E njëjta rritje është reflektuar edhe në vlerë: në fund të shtatorit, depozitimet cash në ATM kapën 70.7 miliardë lekë, 94% më shumë se në 2024.
Ky është viti i shtatë radhazi që depozitimet në bankomat rriten, një tendencë e nxitur nga zgjerimi i infrastrukturës dhe nga orientimi i bankave drejt automatizimit të shërbimeve. Aktualisht, 427 ATM në të gjithë vendin ofrojnë funksionin e depozitimit – 13% më shumë se një vit më parë – dhe përbëjnë rreth 32% të totalit të pajisjeve aktive.
Sektori bankar numëron gjithsej 1.028 ATM, me një rritje të fortë prej 30% në krahasim me 2024. Kjo zgjerim lidhet jo vetëm me zhvendosjen e shërbimeve drejt kanaleve automatike, por edhe me rritjen e ndjeshme të fluksit të turistëve, që ka shtuar kërkesën për pajisje të vendosura jashtë degëve të bankave.
Ndërkohë, përdorimi i lartë i parasë fizike mbetet një karakteristikë e ekonomisë shqiptare, duke e bërë të domosdoshme depozitimin periodik të cash-it në llogaritë bankare. Bankat po investojnë në mënyrë të vazhdueshme për të reduktuar fluksin në sportele, duke orientuar klientët drejt shërbimeve të automatizuara.
Modeli i ri i bashkëpunimit mes bankave dhe kompanive private që operojnë ATM-të jashtë degëve po zgjerohet ndjeshëm, me të ardhurat që ndahen sipas kostove të secilës palë dhe me një fokus të shtuar tek zonat turistike.
Rritja e fortë e depozitimeve cash konfirmon se, pavarësisht zhvillimit të pagesave elektronike, paraja fizike vijon të ketë një rol dominues në ekonominë shqiptare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






