Transmetuar më 08-12-2025, 22:45

Tiranë, 8 Dhjetor 2025 – Shkollat në Shqipëri rezultojnë të pasigurta, sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për periudhën 2021–2024. Raporti tregon se monitorimi i oficerëve të sigurisë në institucionet arsimore ka qenë joefektiv për shkak të mungesës së koordinimit institucional dhe buxhetit të ulët, që për sigurinë shkon vetëm nga 0.4% deri në 0.6% të totalit të Ministrisë së Arsimit.

Problematikat më të shpeshta janë dhuna fizike, me 892 raste të regjistruara, dhuna psikologjike/verbale me 333 raste, bullizmi me 186 raste, kërcënimet/shantazhet me 178 raste, dhe përdorimi i drogës, cigareve apo alkoolit me 133 raste. Raporti thekson se në katër muajt e parë të vitit shkollor 2024-2025 janë regjistruar 528 incidente, përfshirë 8 nxënës të kapur me armë.

Një tjetër problem është mbulim i pamjaftueshëm i shkollave me oficerë sigurie. Në qarqe si Kukësi dhe Gjirokastra ka vetëm një oficer sigurie për çdo 25 shkolla, ndërsa në Tiranë një oficer mbulon 3-4 shkolla. Edhe aty ku oficerët janë të pranishëm, aktiviteti i tyre nuk i përgjigjet nevojave reale të shkollës, për shkak të mungesës së kontrollit fizik të nxënësve dhe mjediseve.

Raportimi i incidenteve nuk është i detyrueshëm ligjor dhe të dhënat e mbledhura nuk analizohen më tej nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar. Oficerët e sigurisë kanë deklaruar se ndihen nën presion për të raportuar, pasi shkolla e tyre mund të konsiderohej “jo e mirë” në rast të raportimeve të shumta.

KLSH rekomandon krijimin brenda vitit 2026 të një strukture të dedikuar për raportimin e incidenteve dhe mekanizma ligjorë dhe funksionalë për mbledhjen dhe pasqyrimin e të dhënave, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe sigurisë në shkolla.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit