Transmetuar më 08-12-2025, 21:57

Bruksel, 8 Dhjetor 2025 – Këshilli i Bashkimit Europian miratoi sot një paketë të re rregullash për rimpatrimin e migrantëve dhe krijimin e listës së vendeve “të sigurta” jashtë BE-së. Vendimi u mundëson shteteve anëtare të krijojnë qendra rikthimi në vende të treta, ku mund të transferohen migrantët që nuk përmbushin kriteret për azil. Shqipëria është identifikuar si një nga vendet që mund të presë këto qendra, duke u shndërruar në një model për politikën e re të BE-së.

Ministri i Brendshëm shqiptar deklaroi se qendrat në Shqipëri mund të përdoren si hapësira për procedurat e përshpejtuara të kufirit dhe si qendra rikthimi për migrantët që do të deportohen, duke e konsideruar këtë një sukses diplomatik dhe një rol kyç në negociatat me BE-në.

Teksti i miratuar nga Këshilli i BE-së tashmë duhet të kalojë për shqyrtim dhe votim në Parlamentin Europian. Deputetët do të diskutojnë legjitimitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në vendet ku do të transferohen migrantët, procedurat e azilit, mundësinë e apelimeve juridike dhe monitorimin e standardeve ndërkombëtare brenda qendrave të reja.

Eurodeputetët e opozitës italiane kanë paralajmëruar vërejtje të forta dhe kërkesa për ndryshime, duke argumentuar se politika e re mund të shkelë Konventën e Gjenevës për refugjatët dhe të rrezikojë të drejtat e migrantëve. Cecilia Strada nga Partia Demokratike e opozitës italiane tha: “Këto politika vënë në rrezik të drejtat e migrantëve. Po ndërtohet një sistem arbitrar ku njerëzit shndërrohen në mjet politik dhe tregues elektoral.”

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare dhe përfaqësues të Këshillit Europian përshkruajnë paketën si një sukses në menaxhimin e kufijve dhe rimpatrimin e migrantëve, duke e konsideruar Shqipërinë si partner strategjik në këtë proces.

Vendimi i Brukselit shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën e migracionit të BE-së, duke e kthyer Shqipërinë në një pikë kyçe për qendrat e përshpejtuara dhe rikthimit të emigrantëve, ndërsa parlamenti europian do të ketë rolin vendimtar për miratimin ose modifikimin e masave.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit