

Nuk ndalen protestat e mëdha të fermerëve në Greqi. Në Kretë situata ka dalë jashtë kontrollit, teksa protestat e fermerëve janë shndërruar në përplasje të dhunshme.
Fermerët janë parë te ndjekin policinë me shkopinj tradicionalë dhe gurë, ndërsa kanë përmbysur edhe një makinë patrulle.

Aeroporti i Heraklionit u mbyll, pasi qindra fermerë hynë në pistë, duke ndërprerë fluturimet.

Edhe aeroporti i Hanjas u bllokua dhe do të mbetet i mbyllur deri pasditen e sotme. Dy fluturime nga Athina dhe Rodos u detyruan të anulohen, për shkak të kaosit. Fotot nga vendngjarja tregojnë përplasje të ashpra, që e kanë kthyer zonën në një skenë beteje.

Fermerët paralajmërojnë vazhdimin e protestave dhe zgjerimin e blloqeve në të gjithë vendin. Në disa qarqe policia është tërhequr, pas përplasjes së dhunshme me protestuesit.

Në Kretë qindra mjete bujqësore janë nisur drejt portit dhe aeroportit “Nikos Kazantzakis”.
Edhe në pjesë të tjera të Greqisë janë ngritur blloqe në rrugët kryesore dhe në autostrada. Fermerët e Peloponezit dhe Atikës janë bashkuar në një plan të përbashkët veprimi.

Disa pika kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë janë bllokuar për orë të tëra.

Autoritetet paralajmërojnë ndërprerje të reja të qarkullimit gjatë ditës. Protestuesit thonë se nuk do të tërhiqen derisa qeveria të pranojë kërkesat e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






