

Elbasan- Partia Demokratike përkujtoi sot 8 dhjetorin e vitit 1990, ditën që shënoi fillimin e Lëvizjes Studentore dhe rrëzimin e regjimit komunist. Përfaqësues të PD zhvilluan homazhe pranë bustit të Azem Hajdarit në Qytet Studenti, duke nderuar figurën e tij dhe rolin e studentëve në ngjarjet që sollën ndryshimet politike të fundviteve ’90.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Sali Berisha, vlerësoi kontributin e studentëve të dhjetorit, të cilët i cilësoi si “heronjtë e vërtetë” të tranzicionit drejt pluralizmit politik.
Sipas Berishës, protestat e nisura në 8 dhjetor 1990 “si një uragan” ndanë epokat dhe rrëzuan regjimin monist. Ai i quajti studentët “misionarë të paepur të lirisë”, të udhëhequr nga Azem Hajdari, duke theksuar se motoja e tyre “Liri, demokraci – Shqipëria si Evropa” shënoi fillimin e një revolucioni demokratik.
Berisha tha se 8 Dhjetori mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë politike të vendit, e konsideruar si “ditëlindja e lirive” për shqiptarët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






