

Kursi i këmbimit Euro–Lek shënoi sërish një rënie të re historike në fund të javës së kaluar, në një treg ku oferta e valutës vijon të mbetet e lartë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 96.57 lekë, duke zbritur nën rekordin e mëparshëm prej 96.59 lekësh të regjistruar pak ditë më parë.
Pavarësisht blerjeve të vazhdueshme në tregun e brendshëm, monedha europiane mbetet në pozita të dobëta. Banka e Shqipërisë vijoi ndërhyrjet edhe gjatë muajit dhjetor, duke blerë 15.1 milionë euro në ankandin e fundit të planifikuar. Në raundin e parë u blenë 10 milionë euro me një kurs mesatar prej 96.67 lekësh, ndërsa në raundin e dytë u shtuan 5.1 milionë euro të tjera. Oferta totale e paraqitur në ankand arriti në 17.8 milionë euro, duke reflektuar sërish bollëkun e valutës në treg.
Edhe një ditë më herët, Banka e Shqipërisë pati ndërhyrë me blerje direkte për të zbutur ritmin e rënies së kursit, pasi Euro kishte prekur një nivel të ri minimal më 3 dhjetor.
Banka Qendrore ka intensifikuar blerjet valutore për të dytin vit radhazi, me synimin për të frenuar forcimin e mëtejshëm të Lekut. Në vitin 2024 janë blerë 933 milionë euro, ndërsa vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti blerjet arrijnë rreth 800 milionë euro.
Megjithëse ndërhyrjet e BSH kanë ngadalësuar zhvlerësimin e Euros, ato nuk e kanë ndalur dot plotësisht këtë trend. Aktualisht, kursi Euro–Lek rezulton 1.8% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të vitit 2024 rënia vjetore kishte qenë 5.5%.
Sipas operatorëve të tregut valutor, presioni rënës mbi Euron lidhet me një ofertë të qëndrueshme dhe të lartë të valutës, e cila është forcuar sidomos pas tremujorit të tretë. Vëllimi i tregtimeve valutore është rritur me 24.4% në tremujorin e tretë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






