

Tiranë, 8 dhjetor 2025
Shqipëria po përballet me një krizë demografike alarmante, teksa brezi i ri po tkurret me ritme dramatike dhe emigracioni i të rinjve ka arritur nivele të paprecedenta. Më shumë se një e katërta e të rinjve shqiptarë gjenden sot në të 30-tat pa arsim profesional, pa shkollim të lartë dhe jashtë çdo forme punësimi, duke sinjalizuar një dështim të thellë të politikave publike në edukim, formim dhe punësim.
Teksa vendi shënon Ditën e Rinisë, shifrat tregojnë një realitet krejt të kundërt: të rinjtë po largohen më shumë se kurrë. INSTAT raporton se në vitin 2024 në Shqipëri jetonin vetëm 405 mijë të rinj 15–29 vjeç, një rënie tronditëse prej 45% krahasuar me vitin 2011. Kjo tkurrje nuk lidhet me lindshmërinë, por kryesisht me emigracionin, i cili ka marrë përmasa pandemike në këtë grupmoshë.
Në arsim, rënia është po aq shqetësuese. Regjistrimet në sistemin parauniversitar dhe universitar po bien vazhdimisht. Gjatë periudhës 2020–2025, numri i nxënësve ka rënë me 61 mijë, ndërsa në 10 vitet e fundit arsimi parauniversitar u tkurr me mbi 31%. Kjo nënkupton më pak të rinj që hyjnë në arsim, më pak studentë që diplomohen dhe më pak fuqi punëtore të kualifikuar.
Përballë tregut të punës, sfidat bëhen edhe më të mëdha. Papunësia e të rinjve mbetet rreth 22%, ndërsa rreth 15% e të diplomuarve universitare rezultojnë të papunë. Mospërputhja mes kërkesës së tregut dhe ofertës së universiteteve shton nën-punësimin, duke detyruar shumë të rinj të punojnë jashtë profilit ose të largohen jashtë vendit.
Raporti ndërkombëtar i OECD e rendit Shqipërinë të parën ndër 45 vende për nivelin e emigracionit në raport me popullsinë. Në vitin 2023, 22.1 shqiptarë për çdo 1000 banorë jetonin në vendet e OECD-së. Kjo nënkupton se gati një në katër shqiptarë ka emigruar. Mbi 80% e atyre që largohen janë të rinj.
Përveç emigracionit dhe papunësisë, Shqipëria përballet me një tjetër plagë serioze: NEET-ët – të rinjtë që nuk punojnë, nuk studiojnë dhe nuk trajnohen. Në vitin 2024, 22% e të rinjve 15–29 vjeç ishin jashtë çdo aktiviteti formues. Në grupmoshën 25–29 vjeç, norma ngjitet në 31.1%. Gjysma e të rinjve me arsim të ulët rezultojnë NEET deri në moshën 29 vjeç.
Në këtë panoramë të errët, arsimi i lartë vijon të tronditet nga perceptime të forta korrupsioni. Gjatë periudhës 2021–2025, prokuroritë kanë hetuar 50 pedagogë të universiteteve publike për korrupsion. Në Universitetin e Bujqësorit të Tiranës, SPAK ka përfunduar hetimet ndaj 27 zyrtarëve. Sipas sondazheve, 9 në 10 studentë besojnë se korrupsioni është i përhapur në universitetet publike, duke goditur besimin tek sistemi arsimor dhe duke shtyrë edhe më shumë të rinjtë drejt largimit.
Ekspertët paralajmërojnë se vendi rrezikon të hyjë në një spirale të rrezikshme: më pak të rinj në arsim, më pak profesionistë në tregun e punës, më pak zhvillim ekonomik dhe një shoqëri gjithnjë e më e plakur. Nëse nuk krijohen politika të qarta për të mbajtur dhe zhvilluar rininë, Shqipëria mund të përballet me një të ardhme pa brezin që mban në këmbë ekonominë.
Sot, pyetja nuk është më “a po ikin të rinjtë?”, por “si do t’i mbajë Shqipëria të rinjtë që i kanë mbetur”. Sfida është strukturore dhe kërkon reformë të thellë në arsim, punësim dhe krijimin e një perspektive reale për brezin e ardhshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






