

TIRANË, 7 dhjetor 2025
Inflacioni bazë në Shqipëri ka shënuar rritjen më të fortë të dy viteve gjatë muajit tetor, duke arritur në 3.13%, nga 3.07% që ishte në shtator. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues – i cili mat rritjen e çmimeve për një grup më të qëndrueshëm mallrash dhe shërbimesh – vijon të rritet me ritme të shpejta, duke reflektuar presione të forta nga ekonomia e brendshme.
Në tetorin e vitit të kaluar, inflacioni bazë ishte vetëm 2.19%, çka nënkupton se rritja e tij është përshpejtuar ndjeshëm. Kategoria e produkteve që hyn në përllogaritjen e tij përbën 69.6% të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Një tjetër tregues, inflacioni bazë neto – që përjashton edhe ushqimet e përpunuara si buka dhe drithërat – u rrit në 3.5% nga 3.4% në shtator, shumë më lart se niveli prej 2% i një viti më parë. Inflacioni që përjashton të gjitha ushqimet dhe energjinë u ngjit në 3.36%.
Ndërkohë, inflacioni total për ekonominë, i matur nga INSTAT, shënoi një rënie të lehtë në 2.3% nga 2.4% në shtator, por mbetet më i lartë se një vit më parë, kur ishte 1.9%.
Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë thekson se presionet e brendshme inflacioniste janë shtuar ndjeshëm, të nxitura nga zgjerimi i aktivitetit ekonomik, rritja e çmimeve të qirave dhe një treg pune gjithnjë e më i shtrënguar.
Analiza tregon se shërbimet, strehimi dhe mallrat e konsumit afatgjatë kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë në rritjen e inflacionit. Veçanërisht kategoria strehim-qira ka përjetuar një kërcim të fortë: inflacioni mesatar i saj arriti në 5.8% gjatë tremujorit të tretë, gati trefish i mesatares së vitit paraardhës. Kontributi i kësaj kategorie në inflacionin total u rrit në 0.8 pikë përqindjeje, nga 0.3 pikë përqindjeje më parë.
Presionet inflacioniste janë rritur edhe në sektorët e turizmit, hoteleri-restorante, mirëmbajtjes së shtëpisë dhe arsim, të nxitura nga kërkesa e lartë dhe rritja e kostove të punës.
Në anën tjetër, faktorët e jashtëm po veprojnë në drejtim të kundërt: çmimet e ulëta të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimi i Lekut po frenojnë rritjen e çmimeve. Kjo është arsyeja pse inflacioni total mbetet ende nën objektivin e bankës qendrore, pavarësisht forcimit të presioneve të brendshme në ekonomi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






