

8 Dhjetor, 2025
Tiranë- Sot përkujtohet 8 Dhjetori, Dita e Rinisë, që shënon 35 vjet nga protestat studentore të vitit 1990, lëvizja paqësore që i dha fund regjimit komunist dhe hapi rrugën drejt demokracisë. Kjo datë është shpallur festë kombëtare që prej vitit 2009, me vendim të Kuvendit, në nderim të studentëve të dhjetorit te vitit ‘90 dhe gjithë rinisë që u bë zëri kryesor i ndryshimit historik.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universiteteve të Tiranës ndërmorën hapin vendimtar, duke u bërë iniciatorë të protestave paqësore që çuan në përmbysjen e regjimit komunist. Të organizuar, ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhëve të tyre gjithnjë e më shumë qytetarë. Brenda pak orësh, turma arriti rreth 1000 pjesëmarrës.
Me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës. Lëvizja Studentore e vitit 1990 mbetet e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi rrënjësisht historinë e vendit.
Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur në takimin me Ramiz Alinë u konfirmua zyrtarisht pluralizmi politik. Menjëherë pas këtij momenti, studentët filluan organizimet për themelimin e Partisë Demokratike, duke shënuar fillimin e epokës së re politike në Shqipëri.
Lëvizjet dhe protestat studentore vijuan edhe në muajt e parë të vitit 1991, duke kulmuar më 20 shkurt 1991, kur studentë, pedagogë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuar përfundimisht simbolet e diktaturës.
Sot, 8 Dhjetori mbetet një ditë reflektimi për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë e rinisë shqiptare, e cila me veprimet e saj paqësore ndryshoi përgjithmonë historinë e vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






