Transmetuar më 07-12-2025, 13:17

Shkodër, 7 dhjetor 2025 – Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 17-vjeçarin Danjel Ndreu, i cili ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për bashkëpunim në atentatin e ndodhur më 8 shtator në qendër të qytetit, ku humbën jetën Liridon Kraja dhe Armando Pali.

Sipas policisë, i mituri u ndalua gjatë një kontrolli rutinë, ku efektivët gjetën edhe disa doza lënde narkotike të dyshuara si kokainë. Autoritetet bëjnë të ditur se Ndreu ishte gjithashtu i shpallur në kërkim për vjedhjen e një motoçiklete në muajin gusht.

Si ndodhi atentati i 8 shtatorit

Sipas hetimeve, Armando Pali dhe Erogen Brajoviç po konsumonin kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur mbi ta u qëllua me breshëri nga Ragip Gila. Shënjestra e dyshuar e sulmit ishte Brajoviç, i cili mbeti i plagosur nga tre plumba.

Nga të shtënat humbën jetën menjëherë Armando Pali dhe truproja i Brajoviçit, Liridon Kraja, i njohur si Lushi, 31 vjeç. Ky i fundit ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Në atentat u plagosën gjithashtu Erogen Brajoviç dhe kamarierja e lokalit, 25-vjeçarja Meri Kaceri.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rolin e mundshëm të Ndreut në atentat.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit