Transmetuar më 06-12-2025, 22:56

6 Dhjetor 2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 50-vjeçare shqiptare u sulmua brutalisht me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, 55-vjeçar, gjithashtu shqiptar, duke përfunduar në spital me plagë të rënda.

Sipas pamjeve të siguruara nga mediat lokale, gruaja tentoi të shpëtonte duke hyrë me vrap në një mini-market pranë banesës së saj. Përpjekjet e saj dështuan, pasi agresori e ndoqi dhe e goditi me thikë në fytyrë dhe kokë. Banorët tentuan të ndërhynin, por 50-vjeçarja ra përtokë, duke mbetur e gjakosur në rrugë.

Punonjësi i mini-marketit rrëfeu për mediat: “Qëndronte e mbyllur brenda. Ai hyri nga dritarja dhe e ndoqi pas rafteve. U përpoqa ta ndihmoja, por ai e shtyu dhe e ndoqi jashtë. Më pas dëgjova britma.”

Fqinjët konfirmuan se pas ndërhyrjes së shpejtë të ambulancës dhe policisë, gruaja u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, ajo ka humbur 25% të shikimit në njërin sy dhe ka pësuar dëmtime serioze në fytyrë.

Policia arrestoi sulmuesin, në çantën e të cilit u gjetën thika, bisturi dhe një kaçavidë. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka folur, ndërsa një dëshmitar raportoi se kur u pyet për veprimin e tij, agresori u përgjigj: “Bëra atë që doja të bëja, e bëra.”

Mediat greke raportojnë se 55-vjeçari kishte hyrë në Greqi nga Shqipëria më 1 dhjetor dhe nuk njihte zonën. Ai kishte pyetur banorët për shtëpinë e ish-gruas, duke pretenduar se ishte “vëllai i saj”, dhe më pas shkoi në banesën ku gruaja jetonte me partnerin e saj të ri, duke shkaktuar konfliktin fatal.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit