

Qeveritë europiane reagojnë me rezerva ndaj dokumentit të ri të strategjisë amerikane të sigurisë kombëtare, ku kërkohet që Europa të marrë mbi vete barrën kryesore të mbrojtjes deri në vitin 2027. Sipas vlerësimeve brenda Bashkimit Europian, ky afat është “krejtësisht jorealist”, ndërsa përshkrimi i BE-së si një kontinent në “rënie” është konsideruar “fyes dhe i rrezikshëm” nga disa kryeqytete.
Komisioni Europian ka zgjedhur një ton të përmbajtur. Një zëdhënëse e institucionit deklaroi se Komisioni “sapo ka marrë dijeni për publikimin e raportit” dhe do të shprehet zyrtarisht pasi dokumenti të shqyrtohet.
Reagimi më i menjëhershëm erdhi nga Berlini. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi se çështje si liria e shprehjes dhe funksionimi i shoqërive të lira nuk mund të diskutohen nga Uashingtoni. “Askush nuk ka pse të na japë këshilla për çështje që rregullohen qartë nga kushtetutat tona”, shtoi ai.
Edhe rrethet pranë presidentit francez Emmanuel Macron reaguan ashpër, duke shprehur “shqetësim të thellë” për deklaratat e administratës amerikane. Grupi i tij politik në Parlamentin Europian, Renew Europe, kritikoi dokumentin duke thënë se ai “dobëson unitetin perëndimor përballë agresionit rus” dhe “shpërfill sakrificat që Europa bën çdo ditë për mbrojtjen e sigurisë demokratike”.
Valérie Hayer, kryetare e Renew dhe e kthyer së fundmi nga një vizitë në Uashington, deklaroi se ka vënë re “një hendek të madh mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve amerikanë”. Sipas saj, “presidenti Trump po izolohet nga ekspertët e tij dhe mbështetet te një rreth i ngushtë këshilltarësh”.
Eurodeputetja socialiste belge Kathleen Van Brempt tha se SHBA “nuk po sillet si aleate” dhe i bëri thirrje BE-së të mos lejojë presionet e administratës amerikane. Ndërsa kandidati francez për presidencën, Raphael Glucksmann, shtoi se dokumenti tregon se Trump “përçmon BE-në, mbështet ekstremet e djathta dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për të ndihmuar Europën kundër Putinit”.
Sipas Reuters, SHBA ka kërkuar që aleatët të marrin kontrollin e shumicës së kapaciteteve konvencionale të mbrojtjes. Burime diplomatike brenda BE-së njoftojnë se Europa po rrit shpenzimet ushtarake, me objektivin që vendet anëtare të arrijnë nivelin 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035, si dhe një shtesë prej 1.5% për investime të tjera strategjike.
“Edhe afati i vitit 2030 është sfidë e madhe për ne”, tha një burim i BE-së. “Të kërkosh një transformim të plotë brenda dy viteve është thjesht jorealiste.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






