

Një grup gazetarësh shqiptarë nga Tirana dhe Prishtina, përfaqësues të disa mediave, u ftuan nga ambasada e Izraelit për të vizituar vendin, në përvjetorin e masakrës së 7 tetorit 2024. Në një ndërmarrje krejt normale, qeveria izraelite u kujdes për mikpritjen dhe organizoi një tur në zonat që gazetarët propozuan ose shprehën interes. Kjo praktikë është e zakonshme në shumë vende të botës, madje edhe në vendet arabo-islamike të Gjirit. Gazetarët udhëtojnë, vizitojnë zonat e interesit dhe më pas shkruajnë atë që shohin. Kjo është pjesë e profesionit dhe e diplomacisë publike.
Por kthimi i gazetarëve shqiptarë dhe publikimi i fotove dhe shënimeve nga udhëtimi shkaktoi një fenomen të paprecedentë në Shqipëri. Mediat otomano-erdoganiste nisën t’i kërcënojnë gazetarët, duke botuar listën me emrat e tyre, duke i ekspozuar qëllimisht ndaj linçimit nga fanatikët trushkulur.
“Shpirtshiturit e medias shqiptare te të pashpirtët e globit. Njihuni me ata që u paguan nga Izraeli për të bërë të harrueshme Gazën”, shkruan një nga këto media me identitet të paqartë, e cila drejtohet nga një individ në Zubin Potok të Kosovës, por që synon publikun shqiptar.
Kjo media, e njohur për propagandën e hapur pro Erdoganit, ka kaluar çdo kufi etik, profesional dhe ligjor. Nxitje e hapur e urrejtjes është vepër penale. Aty ku askush nuk i ka sulmuar gazetarët, është pikërisht kjo media që i hedh në tregun e gjallë të linçimit.
Turqia, Katari, Arabia Saudite, Kuvajti dhe vende të tjera organizojnë shpesh ture për gazetarë shqiptarë. Gazetarët udhëtojnë, shohin dhe raportojnë. Askush nuk i ka mallkuar. As nuk ka pasur kërcënime nga të ashtuquajturit fanatikë kristianë. As nga shteti i Izraelit. Pse duhet të sulmohen gazetarët shqiptarë?
Ndërkaq, teologu dhe publicisti Justinian Topulli i mallkoi publikisht në rrjetet e tij. “Të paktën e dimë tashmë publikisht se cilët kemi përballë. Ju mbuloftë turpi”, shkroi ai, duke e rritur më tej histerinë.

Në një koment tjetër, ai akuzoi delegacionin shqiptar se ka rënë në “rrjetën e Hasbaras”. Hasbara është term që përdoret për diplomacinë dhe propagandën izraelite që shpjegon politikat e shtetit të Izraelit, veçanërisht përballë kritikave ndërkombëtare. Por ky interpretim i Topullit është politik, jo profesional, dhe synon demonizimin e gazetarëve shqiptarë.
Çfarë pune kanë këta vegla të Ankarasë me marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin, një shtet mik dhe partner politik e ekonomik? Shumë shqiptarë nuk e pëlqejnë rolin e Turqisë në rajon, por nuk kanë sulmuar bashkëkombas që e pëlqejnë këtë marrëdhënie. Pse duhet të jetë ndryshe për Izraelin?
Një tjetër media që financohet nga Erdogani kaloi në shpirtkazmizëm, duke sulmuar gazetarët që lanë një mesazh solidariteti në kibucin Beeri, ku u vranë dhe u masakruan fëmijë dhe të moshuar. Media e quajti kibucin “vendbanim kolonial” dhe akuzoi gazetarët si “embedded journalists”, por pa asnjë argument faktik.
Nëse qeveria e Erdoganit, Ministria e Shëndetësisë së Gazës që kontrollohet nga Hamasi, ose edhe ambasada palestineze do të organizonin një tur mediatik në Gaza, askush nuk do të kishte kundërshtuar një raportim profesional nga terreni. Por Hamasi nuk ka lejuar asnjëherë gazetarë ndërkombëtarë të raportojnë lirisht. Edhe mediat botërore punojnë në Gaza vetëm me reporterë të rekrutuar nga Hamasi, sepse ndryshe është e pamundur.
Pse atëherë duhet të kthehet Shqipëria në instrument të një propagande që nuk i takon? Arsyeja është e qartë. Nuk kemi të bëjmë me reagim spontan të shoqërisë, por me një sulm të organizuar me “boots”, i nxitur nga shërbimin sekret turk në Shqipëri.
Qëllimi është i njohur: influencë politike dhe kontroll kulturor në kuadër të synimeve të Ankarasë për dominimin rajonal. Por kjo ndërhyrje përbën rrezik real për paqen fetare dhe për marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me vendet demokratike, mes të cilave është edhe Izraeli./Pamfleti
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






