

Elbasan – 6 Dhjetor 2025
Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin nga Prrenjasi, Nevzat Spaho, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla (i njohur edhe si Edmond Hyka), ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 30 nëntorit në qytetin e Elbasanit.
Vendimi u dha nga gjyqtari Elis Dine, i cili pranoi kërkesën e prokurorit Gjergji Ceka, duke argumentuar se ndaj Spahos ekzistojnë dyshime të forta dhe rrezikshmëri e lartë shoqërore. Spaho njihej më parë nga policia si person me precedent penal. Makina e djegur që çoi tek Spaho
Edhe pse lidhjet mes Spahos dhe biznesmenit ende nuk janë sqaruar plotësisht, autoritetet dyshojnë për përfshirjen e tij pasi në gjurmët e hetimit çoi automjeti që u përdor nga autori i vrasjes dhe që më pas u gjet i djegur në zonën e Mirakës, Librazhd.

Të tjerë të arrestuar në kuadër të hetimit
Për të njëjtën ngjarje, gjykata ka lënë më herët në burg edhe:
Xhino Ago, ortak dhe bashkëpunëtor i biznesmenit Mëhalla, i dyshuar gjithashtu për bashkëpunim në krim;
Kujtim Pisha, 52 vjeç, roje pranë objektit ku u krye atentati, i akuzuar për moskallëzim të krimit.
Pavarësisht dëshmive të familjarëve të Mëhallës, të cilët pretenduan se marrëdhëniet mes tij dhe ortakut Xhino Ago kanë qenë shumë të mira, gjykata nuk i ka konsideruar bindëse për ndryshimin e masës së sigurisë. Atentati ndaj biznesmenit
Mondi Mëhalla u ekzekutua me tre plumba në kokë, mbrëmjen e 30 dhjetorit, ndërsa ndodhej pranë objektit të biznesit të tij. Pamjet e kamerave të sigurisë treguan se ekzekutimi u krye nga një person i vetëm, i cili më pas u largua me një automjet tip “Audi” drejt zonës së Librazhdit.
Vijojnë kërkimet për dy bashkëpunëtorë të tjerë
Policia njofton se po vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, të cilët dyshohet të kenë luajtur rol ndihmës në organizimin ose ekzekutimin e atentatit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






