Transmetuar më 06-12-2025, 12:17

Ka ndërruar jetë në QSUT Shpëtim Çeliku, i cili ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e gruas së tij shtatzënë.

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se ai ka vdekur si pasojë e një arresti kardiorespirator.

Ai u dërgua në spitalin e Burgjeve në Shkodër dhe më pas në QSUT, ku ndërroi jetë.

Shpëtim Çeliku vuante dënimin në burgun e Shkodrës dhe i kishin mbetur 8 vite e 5 muaj dënim për të kryer.

Ngjarja e rëndë ndodhi në dhjetor të vitit 2012, ku Manushaqe Çeliku, e cila ishte në pritje të fëmijës së tretë, u bë viktimë e dhunës së bashkëshortit të saj.

Çeliku, asokohe 35-vjeç, e vrau të shoqen me sqepar në sy të dy vajzave të mitura.

Njoftimi i drejtorisë së burgjeve:

Shtetasi Shpëtim Çeliku, i cili vuante dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ka ndërruar jetë rreth orës 08:10 në Reanimacionin Qendror të QSUNT, ku ishte dërguar për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiorespirator.

Çeliku, banues në Vlorë, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Rrethit Vlorë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, pasi ishte arrestuar më datë 09.12.2012.

Nga dënimi i tij kishin mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 5 muaj. Më datë 15.10.2025 ai ishte transferuar në Spitalin e Burgjeve nga IEVP Shkodër, dhe më pas u dërgua në QSUNT, ku ndërroi jetë.

Nga ana jonë janë duke u zbatuar procedurat me njoftimin e Prokurorisë, SHKBSB, Komisariatit të Policisë dhe familjarëve.

Si ndodhi krimi:

Ngjarja shokuese ndodhi më 8 dhjetor 2012, në Orikum, kur Shpëtim Çeliku masakroi gruan e tij 34-vjeçare, Manushaqen.

Pas arrestimit, ai deklaroi se e kishte vrarë për motive xhelozie, pasi dyshonte se fëmijën e saj të tretë (në muajin e gjashtë të shtatzënisë) e kishte me rojën e fshatit.

Ngjarja përngjason me skenarët horror, pasi autori pasi masakroi me sqepar gruan shtatzënë ka fjetur me trupin e saj të pajetë për dy net.

Shpëtim Çeliku, 35-vjeç në atë kohë, fshehu krimin e rëndë brenda familjes për dy net dhe bashkë me fëmijët, 3 dhe 7 vjeçe, fjeti me kufomën në të njëjtin krevat. Ai i kërcënoi vajzat e tij të mitura se do t’i rrihte nëse do të guxonin të dilnin jashtë, duke i mbajtur të mbyllura bashkë me kufomën e nënës së tyre.

Krimi u zbulua vetëm pasi fqinja që pinte kafen gati çdo ditë me viktimën Manushaqe Çeliku nisi të dyshonte. Ajo shihte vetëm kryefamiljarin të dilte dhe të futej në banesë në mënyrë të çuditshme, çka ngjalli dyshime se një gjë e rëndë kishte ndodhur. Përgjigjet e shkurtra të fqinjit teksa e pyeste se ku ndodhej e shoqja, bënë që Flora Muka të sinjalizonte policinë.

Forca të Policisë mbërritën në banesën e çiftit dhe shkallmuan derën e shtëpisë, pasi ajo ishte e kyçur nga jashtë. Ata mbetën të shtangur kur në krevat gjetën gruan e masakruar dhe të përgjakur, ndërsa dy vajzat e mitura qanin e dridheshin te koka e saj.

Ekspertët mjekoligjorë konstatuan se vrasja e 34-vjeçares ishte kryer me sqepar dy ditë para se të gjendej trupi. Ajo ishte goditur disa herë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa kishte shenja djegie (prushi i zjarrit në banesë), sidomos në të ndenjurat dhe në kurriz.

Mjekët ligjorë konstatuan se viktima kishte qenë 6-muajshe shtatzënë dhe se fëmija i kishte vdekur në bark. Trupi i 34-vjeçares kishte disa goditje të forta në kokë, si dhe thyerje të krahut të djathtë.

Pas hetimeve të kryera, policia ndaloi bashkëshortin e saj, Shpëtim Çeliku, në lagjen ku banonte. Ai fillimisht ngriti alibi se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur në banesën e tij, pasi kishte qenë në Sarandë prej tri ditësh dhe se po kthehej prej andej.

Por më pas, provat e siguruara dhe dëshmia e vajzës së tij 7 vjeçe ka bërë që ai të dorëzohet dhe të pranojë krimin e rëndë. Ai u kishte treguar edhe dy vajzave për çka kishte ndodhur, ndërsa i kishte kërcënuar të mos dilnin jashtë duke i lënë ato me kufomën e nënës së tyre.

Familja Çeliku kishte mbijetuar duke mbledhur kanoçe e hekurishte, me paratë e të cilave siguronin bukën e gojës. Viktima ishte nga fshati Pishkash, ndërsa i shoqi nga Shqiponjë e Librazhdit. Ai kishte qenë i dhunshëm ndaj gruas dhe fëmijëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit