

DURRËS- Spitali Rajonal i Durrësit ka sqaruar se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të 15-vjeçarit Erion Boba, i cili humbi jetën më 4 dhjetor, nuk ka pasur asnjë ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas spitalit, ky reagim erdhi pas disa raportimeve në media që sugjeronin se gjatë operacionit, i cili u krye më 25 nëntor pas një sherri mes adoleshentëve, “kanë ikur dritat”.
Pas verifikimeve me stafin e sallës së operacionit, anestezistët dhe ekipin e reanimacionit, u konfirmua se pajisjet funksionuan normalisht gjatë të gjithë ndërhyrjes.
Spitali po ashtu thekson se sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri rezervë, që garanton funksionimin e tyre pa ndërprerje edhe në raste të luhatjeve të energjisë. Adoleshenti ishte paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, duke pasur shok traumatik dhe hemorragjik.
DEKLARATË PËR SHTYP
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.
Si ndodhi ngjarja?
"Përse na ike more Erion?", 15-vjeçari u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari! Klasën e të miturit e pllakos zija: Si na e thave zemrën kështu? Na shkatërrove 15-vjeçari Erjon Boba u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pranë zemrës, rreth orës 14:00 të 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Sherri mes Erjonit dhe 14-vjeçar me inicialet M.K nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë.
Dyshohet se 15-vjeçari Erjon Boba e kishte marrë në telefon autorin 14-vjeçar për të kërkuar sqarime, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë. Ata u dakorduan të takoheshin për tu sqaruar, ku të pranishëm kanë qenë dhe shokë të tjerë të dy palëve, të cilët janë marrë në pyetja nga policia për ngjarjen e rëndë.
Por takimi i tyre përfundoi me një sherr, ku 14-vjeçari me inicialet M.K e goditi Erjon Bobën katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda edhe në zemër. Pas plagosjes, Boba u dërgua urgjent në spitalin "Nënë Tereza" dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, ku humbi jetën pas 9 ditësh në luftë me jetën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






