

Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili ndërroi jetë dje pas gjashtë ditësh në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, kanë denoncuar kushtet e papranueshme të trajtimit fillestar që ai mori në Spitalin e Durrësit.
Sipas tyre, përplasja e adoleshentit me një 14-vjeçar tjetër, e cila ndodhi më 25 nëntor pranë ambientit të jashtëm të shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, rezultoi fatale për jetën e tij dhe u përkeqësua nga mungesa e kushteve bazë në spital.
Pas plagosjes, Erjoni u nënshtrua operacionit në Durrës, por ndërprerja e energjisë gjatë ndërhyrjes ka bërë të domosdoshme transportimin urgjent të tij në QSUNT për trajtim të specializuar. Familjarët bëjnë me dije se ndërprerja e dritave dhe mungesa e infrastrukturës, përfshirë edhe ashensorin për emergjencat, kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së të miturit.
Familjarët theksojnë se, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, kushtet e spitalit në Durrës ishin të papërshtatshme dhe të pamjaftueshme për të trajtuar një rast emergjent kaq serioz.
“Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, iknin dritat, prandaj e çuan në Tiranë urgjent. Gjendja e djalit u përkeqësua, sepse e kemi mik shtëpie dhe jemi në dijeni të çdo gjëje.
Po. Kjo ka ndodhur vërtet. Si në mesjetë. Operim pa drita, por çdokush do të mbulojë diçka, që nga vrasësit, policia, spitali, media, të gjithë gënjejnë se nuk kanë qenë aty. Për 5 ditë, askush. Mjekët aty janë munduar, por kushtet janë fatale, as ashensor nuk kishte për emergjencat”, u shpreh halla e të ndjerit në një prononcim për JOQ.
Si ndodhi ngjarja?
15-vjeçari Erjon Boba u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pranë zemrës, rreth orës 14:00 të 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Sherri mes Erjonit dhe 14-vjeçar me inicialet M.K nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë.
Dyshohet se 15-vjeçari Erjon Boba e kishte marrë në telefon autorin 14-vjeçar për të kërkuar sqarime, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë. Ata u dakorduan të takoheshin për tu sqaruar, ku të pranishëm kanë qenë dhe shokë të tjerë të dy palëve, të cilët janë marrë në pyetja nga policia për ngjarjen e rëndë.
Por takimi i tyre përfundoi me një sherr, ku 14-vjeçari me inicialet M.K e goditi Erjon Bobën katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda edhe në zemër. Pas plagosjes, Boba u dërgua urgjent në spitalin “Nënë Tereza” dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, ku humbi jetën pas 9 ditësh në luftë me jetën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






