

DURRËS- E. Boba, 15‑vjeçari që u plagos disa ditë më parë me thikë në zemër gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës ndërroi jetë ditën e djeshme. I mituri do të përcillet sot për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij, në Bulqizë.
Ndërkohë në lagjen ku familja Boba rrinte me qira, në zonën e ish Kënetës, banorët shprehen me dhimbje për ngjarjen e rëndë. Ata shprehen se tragjedia ishte shumë e rëndë dhe shteti duhet të marrë masa për këtë ngjarje. Një banor tjetër thotë se mësuesit duhet ta kontrollojnë fëmijën
“Na erdhi shumë keq. Tragjedi shumë e rëndë. Duhen që të marrin masa, edhe shteti për të tjerët. Po ndodhin ngjarje të rënda shumë shpesh”, thotë një banor.
“Mësuesit duhet ta kontrollojnë fëmijën. Përgjegjësi më të madhe ka prindi. Gjë tjetër nuk dimë, si njerëz janë të mirë”, thotë një banore tjetër.
Ndërsa pronarja e shtëpisë, ku familja Boba banon me qira, shprehet se kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur te një familje shumë e mirë, me të cilët ajo njihet prej vitesh.
“Djalë i urtë, i sjellshëm”, thotë ajo.
Si nisi sherri mes Erjon Bobës dhe 14-vjeçarit në Durrës?
15-vjeçari E. Boba u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pranë zemrës, rreth orës 14:00 të 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Sherri mes Erjonit dhe 14-vjeçar me inicialet M.K nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë.
Dyshohet se 15-vjeçari e kishte marrë në telefon autorin 14-vjeçar për të kërkuar sqarime, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë. Ata u dakorduan të takoheshin për tu sqaruar, ku të pranishëm kanë qenë dhe shokë të tjerë të dy palëve, të cilët janë marrë në pyetja nga policia për ngjarjen e rëndë.
Por takimi i tyre përfundoi me një sherr, ku 14-vjeçari me inicialet M.K e goditi Erjon Bobën katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda edhe në zemër. Pas plagosjes, Boba u dërgua urgjent në spitalin "Nënë Tereza" dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, ku humbi jetën pas 9 ditësh në luftë me jetën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






