

SHBA, 4 dhjetor 2025
Lionel Messi ka dhënë një intervistë të gjatë për ESPN, ku ka folur për të ardhmen e tij, shanset e Argjentinës në Kupën e Botës dhe marrëdhënien e tij me Pep Guardiolën, të cilin e cilëson si trajnerin më të mirë në botë. Përpara shortit të Botërorit dhe finales së MLS-së mes Inter Miami dhe Vancouver Whitecaps, “Pleshti” u shpreh se ende nuk ka vendosur për pjesëmarrjen në turneun e vitit të ardhshëm.
“Do të fillojmë parasezonin në janar dhe kemi shumë ndeshje deri në maj. Shpresoj të kem një përgatitje të mirë, por do ta marr ditë pas dite. Do të jem i sinqertë dhe realist me veten time,” tha Messi.
Sa i përket shanseve të Argjentinës për të mbrojtur titullin kampion bote, ai u tregua i rezervuar: “Do të përpiqemi. Ekipi kombëtar jep gjithçka, por detajet e vogla mund të të rrëzojnë. Në një ndeshje, topi mund të godasë shtyllën dhe të shkojë brenda ose jashtë. Është shumë e vështirë të fitosh një Kupë Bote.”
Messi komentoi edhe për momentet vendimtare të Botërorit 2022: “Ishim superiorë kundër Francës dhe Holandës, por fituam me penallti. Kishim edhe ‘bishën’ Dibu Martínez, por prapë rreziku është i madh. Penalltitë janë lotari.”
Ylli argjentinas nuk kurseu lavdërimet për Pep Guardiolën: “Për mua, ai është unik. Ka trajnerë shumë të mirë, por Guardiola ka diçka ndryshe. Ai është i kompletuar në vizion, përgatitje dhe mënyrën se si komunikon me lojtarët. Jo vetëm sepse fiton, por mënyra si luajnë ekipet e tij e bën të veçantë.”
Intervista e Messit ka rikthyer në qendër të vëmendjes dilemat e tij për Botërorin, por edhe admirimin e vazhdueshëm për trajnerin që e shndërroi në ikonë të Barcelonës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






