Transmetuar më 04-12-2025, 16:33

SHKODËR- Policia e Shkodrës ka vënë në pranga Altin Shpendin si person të dyshuar se ka kërcënuar me armë zjarri një të ri 20-vjeçar në zonën pranë Stacionit të Trenit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00, kur qytetarët kanë njoftuar për të shtëna në ajër.

Pas marrjes së informacionit, efektivët kanë ndërhyrë menjëherë, kanë kontrolluar perimetrin dhe kanë identifikuar autorin e mundshëm të incidentit. Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari ka qëlluar një herë në ajër gjatë konfliktit me të riun, e më pas është larguar, por është kapur brenda një kohe të shkurtër nga patrullat.

Njoftimi:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Tre Heronjtë”, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një shtetas tjetër, kanë organizuar punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. Sh., 26 vjeç.

Nga veprimet e para procedurale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Sh. ka kanosur shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri, automatik, në ajër.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur dhe gjetjen e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se 26-vjeçari qëlloi në ajër gjatë konfliktit.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit