

4 Dhjetor, 2025
BRUKSEL- Federica Mogherini, ish-diplomatja më e lartë e BE-së, ka dhënë dorëheqjen nga roli i saj si rektore e Kolegjit të Evropës, pasi po hetohet për mashtrim për ndërhyrje në tenderat e financuar nga BE-ja. Në një deklaratë pas një takimi të Komitetit Ekzekutiv të Kolegjit të enjten, ajo tha: Në përputhje me rigorozitetin dhe drejtësinë më të madhe me të cilën kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen si rektore.
Vetë Mogherini e ka komunikuar këtë në një email, dërguar stafit dhe studentëve të shkollës në Bruges.
“Në përputhje me rigorozitetin dhe integritetin maksimal me të cilin kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen nga pozicioni im si Rektore e Kolegjit të Evropës dhe Drejtoreshë e Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian. Jam e bindur se komuniteti universitar në tre kampuset tona do të vazhdojë në rrugën drejt inovacionit dhe përsosmërisë që kemi hartuar së bashku gjatë këtyre pesë viteve të mrekullueshme. Jam krenare për atë që kemi arritur së bashku dhe jam thellësisht mirënjohëse për besimin, respektin dhe mbështetjen që studentët, fakulteti, stafi dhe ish-studentët e Kolegjit dhe Akademisë më kanë treguar dhe vazhdojnë të më tregojnë. Ka qenë një nder dhe kënaqësi për mua t’i shërbej komunitetit të Kolegjit dhe misionit të tij,” shkroi Mogherini.
Dorëheqja vjen një ditë pasi zyrtari i lartë i BE-së, Stefano Sannino, i cili ndodhet po ashtu nën hetim, do të tërhiqej në fund të dhjetorit.
Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe një nga figurat më të njohura në diplomacinë e BE-së, është përfshirë në një skandal gjyqësor. Ajo u arrestua në Belgjikë më 2 dhjetor së bashku me dy kolegë të saj. Akuzat ndaj saj kanë të bëjnë me parregullsi të dyshuara në tenderin për krijimin e Akademisë së re Diplomatike të BE-së. Ajo u lirua pas marrjes në pyetje, pa u konsideruar si rrezik arratisjeje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






