Transmetuar më 04-12-2025, 15:23

Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë ditën e sotme pati jo vetëm me debate të forta, por edhe akuza, replika të ashpra, ironi dhe batuta që shkuan deri edhe në sulme personale.

Opozita akuzoi mazhorancën dhe qeverinë për skandalet e korrupsionit ku janë përfshirë deri në kupolën e ekzekutivit, teksa zv/kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur.

Socialistët nga ana tjetër kanë akuzuar opozitën se jo vetëm shpif, por kërkon të prishë edhe seancën në Kuvend.

Deputeti demokrat Bledion Nallbani nuk ka kursyer kryeparlamentarin Niko Peleshi, njëkohësisht deputet i qarkut të Korçës ku shërbejnë të dy, duke e etiketuar atë si “batakçi dhe hajdut”.

Peleshi nuk ishte prezent në sallë, teksa nënkryetarja Klodiana Spahiu i tërhoqi vëmendjen për fjalorin fyes ndaj kreut të Kuvendit.

Duke iu referuar fjalës së kolegëve të mazhorancës dhe vetë Peleshit më herët ai tha:

“Nuk shkon kjo punë jemi në parlament jo në parashkollor. Një koleg i mazhorancës mori fjalën dhe na tha është turp që deputetë të flasin për çështje të rendit të ditës. Unë ju them që nuk është turp të flasë për hallet e qytetarëve, por është turp të ngresh kartonin për të vjedhur paratë e qytetarëve. Jemi votuar që të ngremë shqetësime e qytetarëve”.

Ai akuzoi edhe Peleshin si mashtrues dhe hajdut.

“Turp është të mbrosh hajdutët dhe ata që vjedhin paratë e qytetarëve dhe jo të ngresh shqetësimet e qytetarëve. Kjo nuk është turp të flasësh për qytetarët, turp është të ngresh kartonin për vjedhjen. Dhe një gjë të fundit meqenëse kryetari i Kuvendit më dha një Këshillë që të dal para pasqyrës, dola Niko, nuk pashë ndonjë djalë të bukur. Por po i them se pashë një hajdut, një batakçi e mashtrues si ti nuk e pashë”, tha ai.

Nallbati theksoi se në Kuvend është e rëndësishme të flitet për hallet e qytetarëve, pasi për atë janë votuar.

Nënkryetarja Spahiu e paralajmëroi dhe i tërhoqi vëmendjen:

“Zoti Nallbati, nuk është normale të flasësh këtu me këtë fjalor dhe të fyesh kryetarin e Kuvendit. Nuk të lejoj! Çfarë është kjo gjuhë tani?! Çfarë është gjithë ky mllef mo burrë në Parlament, si mund të flasësh kështu për kryetarin e Kuvendit? Ju tërheq vëmendjen për fjalorin që përdore”.

Replikat nisën nga debatet e mëhershme, ku Nallbati në fjalën e tij akuzoi deputetët e mazhorancës të qarkut të Korçës që kishin lënë pas dore banorët dhe zonat verilindore, duke përfshirë edhe kryeparlamentarin Peleshi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit