Transmetuar më 04-12-2025, 14:09

Greqia po përballet me mot të keq si pasojë e stuhisë “Byron”, e cila prej orësh ka shkaktuar reshje të dendura shiu, përmbytje dhe rrëshqitje toke në disa zona të vendit. Autoritetet kanë vendosur në gatishmëri të lartë disa rajone, duke lëshuar paralajmërime për qytetarët.

Në disa zona të Lakonisë janë raportuar rrëshqitje toke dhe prurje të mëdha uji, ndërsa në Zakynthos disa rrugë janë mbyllur për shkak të përmbytjeve. Probleme janë shënuar edhe në Mani, Pieria, Evrota dhe Atikë, ku stuhitë e forta kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe dëme materiale.

Në fshatin Platanos në Gytheio, banorët raportojnë se shtëpi, makina dhe toka bujqësore janë mbuluar nga uji, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të evakuuar personat që kanë mbetur të izoluar. Disa prej banorëve janë strehuar përkohësisht në katet e para të banesave për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Situata është e vështirë edhe në Rodos, Lindos dhe Katerini, ku autoritetet kanë vendosur që shkollat të qëndrojnë të mbyllura të premten, si masë sigurie. Shkolla do të mbyllen përkohësisht edhe në Santorini, Tilos, Kastelorizo, Symi dhe zonat e tjera ku parashikohen fenomene të rrezikshme atmosferike.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Greqisë njofton se moti i keq pritet të vazhdojë deri në orët e para të së shtunës. Paralajmërime të nivelit të kuq për rrezik të lartë janë në fuqi për Pieria, Imathia, Halkidiki, Selanik, Thesali, Sporade, Evia, ishujt e Egjeut Lindor dhe Dodekanez.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit