

ELBASAN- Është caktuar data për dhënien e masës për të arrestuarit, si autor të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë në Elbasan. Bëhet me dije se seanca e masave të sigurimit do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Në lidhje me kërkesën për Nevzat Spahon nga kërkimi në sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore nuk rezulton që të jetë depozituar kërkesë në lidhje me këtë ngjarje nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për caktim mase sigurimi.
Sipas njoftimit zyrtar, për këtë çështje është caktuar seanca gjyqësore më 05.12.2025, në orën 10:00, e cila do të mbahet me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së hetimeve dhe nevojës për ruajtjen e sekretit hetimor. Sakaq, hetimet për rastin vijojnë, ndërsa priten zhvillimet nga seanca e 5 dhjetorit.
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.
Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






