

Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë konstatuar një tjetër rast të mosdeklarimit të shumave të mëdha të parave gjatë hyrjes në territorin shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të imtësishme të kryera me pajisje bashkëkohore dhe analiza të riskut, në vijën e dytë të kontrollit është ndaluar një 36-vjeçar me inicialet G. S., banues në Krujë. Gjatë verifikimeve, policia gjeti 240 000 euro të cilat ai dyshohet se tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar sipas procedurave ligjore.
Shuma është sekuestruar ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin në fjalë.
Policia Kufitare thekson se kontrollet do të vijojnë me intensitet, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe garantimin e transparencës gjatë kalimit të kufirit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






