Transmetuar më 04-12-2025, 07:37

TIRANË, 4 dhjetor 2025

Detyrimet e papaguara për taksat dhe tarifat vendore deri në vitin 2014 do të fshihen plotësisht, pas miratimit të ndryshimeve në projektligjin fiskal nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Vendimi vjen si pjesë e diskutimeve nen për nen të paketës së re fiskale, që synon të lehtësojë barrën për bizneset me detyrime të prapambetura.

Drafti fillestar i Ministrisë së Financave parashikonte fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore të bizneseve deri në vitin 2014. Por, pas propozimeve të deputetit socialist Erjon Braçe, fshirja u zgjerua duke përfshirë edhe taksat dhe tarifat vendore të së njëjtës periudhë. Braçe kërkoi gjithashtu që detyrimet vendore më të vjetra se 10 vite të hyjnë në një skemë lehtësimi, ku bizneset të mund të shlyejnë 50% të vlerës dhe pjesa tjetër të falet.

Komisioni miratoi amendimet e tij për nenin 6, ndërsa rrëzoi një pjesë të propozimeve të deputetit demokrat Enno Bozdo, i cili kërkonte përjashtimin nga fshirja të subjekteve që kanë përfituar fonde publike pas vitit 2015 ose që kanë deklaruar fitime pas vitit 2020. Sipas Ministrisë së Financave, vendosja e këtyre kritereve do ta bënte skemën të pazbatueshme për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së plotë.

Projektligji përcakton se detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014 do të fshihen plotësisht, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat. Për detyrimet e periudhës 2015–2019 parashikohet shuarje e pjesshme, me fshirje të një pjese të detyrimit në varësi të afatit dhe nivelit të pagesës. Ndërkohë, për periudhën 2020–2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave mund të aplikohet vetëm nëse paguhet i plotë principali deri në fund të vitit 2026.

Kjo skemë synon të pastrojë bilancet e bizneseve dhe administratës tatimore, ndërsa pritet të lehtësojë mijëra subjekte me detyrime të akumuluara ndër vite.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit