

ELBASAN- Personi që shinhi në foton e mësipërme, është Nevzat Spaho, 29 vjeç, i identifikuar nga policia si personi që dyshohet se ka kryer ekzekutimin e biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan. Emri dhe fotoja e tij janë bërë publike pak orë pas ndalimit, i cili u krye në qytetin e Prrenjasit, ku Spaho jetonte dhe ku dyshohet se ishte fshehur që nga mbrëmja e ngjarjes.
Mësohet se arrestimi i tij është realizuar pas një operacioni të shpejtë, të mbështetur në informacionet e mbledhura gjatë hetimeve intensive të ditëve të fundit. Kapja e Spahos konsiderohet një hap i rëndësishëm për zbardhjen e plotë të vrasjes së 43-vjeçarit, ndërsa policia ka ndaluar edhe një tjetër person të dyshuar për ndihmë në atentat.
Hetuesit po analizojnë lëvizjet, komunikimet dhe kontaktet e Spahos me persona të tjerë, në mënyrë që të përcaktojnë nëse pas krimit qëndron një grup i organizuar apo konflikte të mëparshme mes palëve. Kontrollet dhe verifikimet në terren vijojnë, pasi dyshohet se atentati është kryer me bashkëpunim të disa individëve.
Nevzat Spaho ka një të kaluar problematike me drejtësinë. Ai është dënuar më herët nga gjykata e Elbasanit për kanosje dhe ushtrim dhune me qëllim përfitimi, si edhe për mbajtje të paligjshme armësh. Në një rast të vitit 2022, ai ka dhunuar dhe kërcënuar me armë një shtetas për t’i marrë një shumë prej 3 mijë eurosh.
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Atentatori, pasi është siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë, është larguar i shoqëruar me të tjerë persona me mjetin tip "Audi" të zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






